Liberalizimi i vizave: 116 mijë kërkesa për pasaporta brenda dy muajve – rritet interesimi edhe i qytetarëve në veri
116 mijë qytetarë kanë aplikuar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për t’u pajisur me pasaportë brenda këtyre dy muajve, ndërsa interesim për marrje të pasaportës biometrike kanë shfaqur edhe qytetarët serb në veri të vendit. Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj.
Camaj ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe pas liberalizimit të vizave, ka pasur mbi 1 mijë e 400 qytetarë nga komunat veriore që kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë. Ndërsa në total vetëm në katër komuna veriore, është rreth 7 mijë.
Camaj ka mohuar pretendimet se ka mungesë të materialit, veçse telashet ishin shfaqur kohë pas kohe. Për këtë, fajin ia lë ndërrimit të lokacionit.
“Kërkesat kanë qenë në rritje tani situata vetëm ka filluar me u stabilizu nga fundi i muajit shkurt. Në muajin janar janë diku rreth 71 mijë qytetarë që kanë aplikuar për pasaporta dhe në muajin shkurt diku rreth 45 mijë qytetarë që kanë pajisur për pasaporta”, tha Camaj.
Materiali i nevojshëm për pasaporta tashmë nuk është edhe problematik pasi sipas Camajt, ka material të mjaftueshëm. Megjithatë për shkak të ndërrimit të lokacionit nga objekti i Gërmisë në Rilindje iu ka shkaktuar pak vështirësi derisa sistemi është stabilizuar.
“Material kemi mjaftueshëm, linja e prodhimit është e tillë që i prodhon 2 mijë pasaporta në ditë, po presim nga muaji mars të ndërrojmë muajin e prodhimit dhe të rrisim kapacitetin. Vështirësi nuk kemi, kemi pasur dy ditë probleme pak me sistemin se i kemi bërë bartjen nga objekti i ‘Gërmisë’ dhe kemi kaluar në ‘Rilindje’ dhe kur ndërrojnë ato paraqesin probleme, por megjithatë prodhimi tani është stabilizuar”, tha Camaj për Ekonomia Online.
Krahas interesimit për marrje të pasaportave në komunat tjera, interesim goxha të madh kanë shprehur edhe qytetarët në veri të vendit. Sipas Camajt, 7 mijë serb janë pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.
“Edhe qytetarë të komunave veriore kanë shfaqur interes të madh për t’u pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës vetëm në muajin janar dhe shkurt në katër komuna veriore kanë aplikuar diku rreth 1 mijë e 400 qytetarë. Në total vetëm në katër komuna veriore janë të pajisur diku rreth 7 mijë qytetarë me pasaportë biometrike”, tha Camaj për Ekonomia Online.