Maskat, kartelat e vaksinimit – çfarë do t’ju kërkohet në ditën e zgjedhjeve
Komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë do të duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë dëshminë se janë negativë në koronavirus apo se e kanë kaluar sëmundjen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar partive politike që të zbatojnë këtë masë.
Por, ky rregull nuk do të vlejë edhe për votuesit, konfirmojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Qytetarëve do t’iu kërkohet të mbajnë maska mbrojtëse dhe distancë fizike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky institucion u ka dërguar partive politike një shkresë përmes së cilës ka kërkuar nga ato që të dërgojnë në qendrat e votimit vetëm komisionerë që janë të vaksinuar apo që posedojnë dëshminë e testeve për COVID-19 .
“Përmes kësaj shkrese, subjektet politike janë informuar se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të detyrueshme edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, prandaj kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyrë, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe nga vëzhguesit do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës”, tha Elezi.
Në mbledhjet e radhës të KQZ-së, sipas Elezit, do të merret vendimi përmes së cilit do të caktohen personat përgjegjës të cilët kanë për detyrë të kërkojnë dëshmitë e vaksinimit dhe testin e COVID-19 nga ana anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe vëzhguesve.
Nga votuesit KQZ-ja kërkon zbatimin e masave siç është mbajtja e maskës, distanca fizike prej dy metrash gjatë kohës kur janë duke hyrë apo brenda vendvotimit.
“Votuesit duhet ta mbajnë maskën gjatë gjithë kohës, përveç kur duhet të identifikohen nga ana e anëtari i këshillit të vendvotimit”, tha Elezi për rel.
Ndërkohë Zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë të ditur se në ditën e zgjedhjeve do të zbatohen masat e përgjithshme dhe të veçanta kundër COVID-19, sipas Udhëzuesit të Përgjithshëm.
Aty thuhet se qytetarët duhet të kujdesen për bartje të maskës mbrojtëse, ruajtje të distancës fizike dhe shmangie të grumbullimeve të cilat bien ndesh me masat në fuqi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.