Mbi 21 mijë raste të reja me COVID-19 vetëm gjatë muajit mars në Kosovë
Numri i të infektuarve me COVID-19 po vazhdon të rritet në Kosovë.
Vetëm gjatëm muajit mars në vend janë konfirmuar 21 mijë e 59 raste të reja me koronavirus, ndërkaq numri i të vdekurve në këtë muaj ka qenë 273.
Krahasuar me numrin e të infektuarve në dy muajt e parë të këtij viti, në mars numri i rasteve të reja është rritur për mbi 10 mijë raste.
Gjatë janarit 2021, në Kosovë ishin konfirmuar 8 mijë e 790 raste me COVID-19, ndërkaq kishin vdekur 163 persona të infektuar.
Kurse, në shkurt 2021 numri i të infektuarve ishte 9 mijë e 12, dhe i të vdekurve 100.E përsëri gjatë marsit pati më shumë raste të reja dhe më shumë persona të vdekur sesa gjatë janarit e shkurtit bashkë.
Edhe shifrat e të vdekurve janë rritur dukshëm gjatë marsit, ku vetëm nga data 22 mars e deri më 28, pra për një javë 80 persona humbën betejën me COVID-19.
Megjithëse numri i rasteve të reja po shkon duke u rritur, ku dje më 31 mars ishte edhe numri më i lartë të infektuarve brenda 24 orëve ku u konfirmuan 923, nga Ministria e Shëndetësisë i kanë thënë Telegrafit se masat kundër COVID-19 janë ato të cilat janë të ditura deri më tani.Në anën tjetër, sot është dita e katërt prej kur ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor dhe personave të rrezikuar në dy qendra, në palestrën sportive “1 Tetori” dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Deri tani, numri total i rasteve pozitive me koronavirus ka shkuar në 90 mijë e 430 raste nga 425.850 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.
Po ashtu, janë regjistruar 1 mijë e 872 raste të vdekjes.