Mbi tetë mijë automjete kanë kaluar dje nga Vërmica në Shqipëri
Brenda dy ditëve në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan mbi 15 mijë automjete me udhëtarë që zgjodhën të kalojnë ditët e pushimit në Shqipëri. Qytetarët thonë se arsyeja kryesore janë masat e reja të vëna nga qeveria e Kosovës e që nuk u pëlqyen atyre.
Vazhdon të jetë i lartë fluksi i udhëtarëve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë në pikën kufitare të Vërmicës.
Udhëtarët nuk e fshehin arsyen e rrugëtimit për në territorin e Shqipërisë këto ditë pushimi pavarësisht numrit të lartë të infektimeve me koronavirus.
“Na kanë mbyll në Kosovë, po dalim andej pak”, tha një qytetar për RTK’në.
“Albin Kurti na i ka mshel krejt lokalet, po shkojmë në Shqipëri me pi kafe”, tha një qytetar tjetër.
Në orët e paradites së ditës së shtunë në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan tetë mijë vetura ndërsa për dy ditët e kaluara kjo shifër i kalon 15 mijë automjete motorike që bën kolona kilometërshe.