MINISTRIA E SHËNDETËSISË I DHURON AUTOMJET QKMF-së SË PRIZRENIT PËR TRANSPORTIMIN E VAKSINAVE
Të hënën, Ministria e Shëndetësisë e ka ndihmuar QKMF-në e Prizrenit me një automjet transportues për bartjen e vaksinave. Ministria e Shëndetësisë e ka mbështetur me një automjet transportues për bartjen e vaksinave edhe QKMF-në e Prizrenit.
Ky donacion sipas kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka, ka rëndësi të veçantë për procesin e vaksinimit që po organizohet në Prizren, për të bartur vaksinat nëpër qendra të vaksinimit. Zv/ministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, tha se përmes mbështetjes së institucioneve shëndetësore në qendrat më të rëndësishme të vendit, ne po mundësojmë rritjen e shërbimeve në cilësi.
Kostoja e këtij automjeti kap shumën e rreth 50 mijë eurove, njoftoi ai, ndërsa tha se Kujdesi Parësor Shëndetësor në Prizren, do të ketë përkrah vazhdueshme nga Ministria, për shkak se është në nivelin më të mirë të mundshëm funksional në nivel vendi, u shpreh ai.
Drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu- Hoxha, e vlerësoi tejet të rëndësishëm këtë donacion nga MSH-ja, dhe njoftoi se procesi i vaksinimit në Prizren pritet të bëhet nëpër QMF, për shkak të kushteve jo të favorshme në Palestren Sportive, si pasojë e rënies së temperaturave.
Ndërsa, mirënjohes ndaj MSH-së u shpreh edhe drejtori i QKMF-së, Xhevat Elezkurtaj, për dhurimin e këtij automjeti special, i cili do t’u ndihmojë profesionistëve shëndetësor në lehtësimin e transportimit të vaksinave.
Ndryshe, sipas drejtuesve të KPSH në Prizren, deri më tani janë administruar 125000 mijë doza të vaksinës, ku sipas tyre, rreth 75 % e popullatës kanë marrë dozën e parë, ndërsa mbi 50 % dozën e dytë, kanë njoftuar ata në fund./Tv Prizreni