Miratimi i planeve për Qendrën Historike dhe ai për Kalanë e Prizrenit kontributi më i madh për ruajtjen e trashëgimisë kulturore
Janë miratuar sot dy planet e para të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore, për Qendrën Historike dhe ai për Kalanë e Prizrenit.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
“Sot është vërtet ngjarje e veçantë, në veçanti nëse këtë e lidhim me qytetin e Prizrenit. Të dy planet për menaxhimin e Qendrës historike dhe Kalasë së Prizrenit, besoj se është kontributi më i madh që bëjnë institucionet e vendit në ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshme dhe në përmbushje të atyre kritereve, ashtu që nesër që objektet historike të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore botërore”, tha Hoti.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi se është gjithëpërfshirja dhe transparenca, të dyja këto të hartuara nga organizatat joqeveritare, ajo “Ec ma ndryshe” dhe organizata “CVHB”.
Ajo ka shpalosur disa nga planet e menaxhimit për Qendrën historike në Prizren.
“Sot jemi së bashku për të miratuar dy planet e para të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për Qendrën historike të Prizrenit dhe për Kalanë e Prizrenit… Po i theksoj disa nga objektivat dhe aktivitetet e përcaktuara në të dy planet e menaxhimit, e që do të jenë prioritet i Ministrisë dhe Institucioneve nga viti 2021 e tutje: Mbrojtja dhe promovimi i Qendrës Historike të Prizrenit dhe përgatitja për listën e trashëgimisë botërore në UNECO, inventarizimi i plotë i aseteve të trashëgimisë kulturore, mbrojtja e vlerave të trashëgimisë kulturore përmes procesit të planifikimit hapësinor dhe zhvillimit urban, mbrojtja dhe promovimi i Qendrës historike të Prizrenit përmes qasjes së rigjenerimit urban dhe nënzonave dhe rivitalizimi i ndërtesave publike”, tha ajo.
E kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se trashëgimia historike e Prizrenit duhet të ruhet në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të gëzojnë atë.
“Ne kemi probleme me UNESCO-n për shkak të aspekteve ndërkombëtare por sidoqoftë mendoj se duhet të fillojmë të punojmë në dokumentimin e objekteve nga Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe deri tek Kalaja, në mënyrë që një ditë kur të jetë e mundur të bëjmë kërkesën për ruajtjen dhe të jenë pjesë e trashëgimisë botërore. Shpresoj që vitin e ardhshëm rrugën Marlin Barleti do ta kthejmë në pamjen e vjetër, e cila ka shumë shtëpi të vjetra të cilat janë të dëmtuara ose të rrënuara, sa më shpejt të bëjmë përurimin e punimeve në atë pjesë”, tha Haskuka.