Naim Malazezi – mbret i mbretëreshës së sporteve
Naim Malazezi ka lindur më 9 prill 1965 në qytetin e bukur të Prizrenit. Mësimet e para i mori në SHFMU “Mustafa Bakiu”. Pastaj vijoi në shkollën e mesme që atëherë quhej QAMO “Boro e Ramizi”. Në këtë shkollë krey dy vjet (I dhe II), për të vazhduar në gjimnazin “Gjon Buzuku” në vitin III dhe IV. Gjatë gjithë shkollimit të tij Naimi tregoi sukses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shembullore.
Nga viti 1985 e deri në vitin 2011 punoi në ndërmarrjen e njohur të Prizrenit “Famipa”. Pastaj kjo ndërmarrje pati vështirësi ekzistenciale, ndaj Naimin e gjejmë në një profesion të ri – në atë të policit të Kosovës, profsion të cilin vazhdon ta kryejë edhe sot e kësaj dite.
Jeton në Prizren, është i martuar dhe ka pesë fëmijë.
Një jetë e tërë në sport
Naim Malazezi, sikurse edhe shumë fëmijë të tjerë, e donte sportin. Fillimisht e sprovoi veten në gjimnastikë, ndërsa më pastaj kaloi në mbretëreshën e sporteve – në atletikë ku e kaloi një jetë të tërë.
“Me sport kam filluar qysh në vitin 1976 si anëtar i grupit rekreativ “Partizani”. Si i ri me aftësitë e mia i tejkaloja edhe shumë më të rriturit”, nis rrëfimin e tij biografik ky sportist dhe shtoi: “Në vitin 1982 isha reprezentues i Kosoves dhe vazhdova panderprerje deri më sot – 41 vjet reprezentues (ilegal nga Serbia dhe legal) pa u ndalur në asnjë periudhë dhe me suksese.”
Dashuria për atletikën dhe vullneti i pashoq për pjesëmarrje në gara, e detyruan Naimin të ballafaqohej me shumë sfida e rreziqe. “Po, kam qenë i dënaur me 3 muaj (një vit me kusht) për pjesëmarrje në gara; kam kaluar nëpër male e liqene, duke rezikuar edhe jetën. Kam qenë kampion i Kosovës 55 herë, si dhe aq herë fitues i Kupës së Kosovës dhe rreth 80 herë fitues i garave të ndryshme në Kosovë dhe i shumë garave jashta saj për dekada të tëra: Fitues i Çmimit të Nëntorit 1983 dhe i Dhjetorit 1989, nënkampion i ish-Jugosllavisë, kampion i Serbisë, shumë herë kampion i garave Vllaznim-Bashkim ku kanë marë pjesë atletët nga Maqedonia, Mali iZi , Serbia e Kosova; shumë herë i shpallur Sportist i Prizrenit, shumë herë i shpallur Atlet i Kosovës, si dhe disaherë ndër sportistët më të mirë të Kosovës; dhe, së fundi, edhe mirënjohje nga qyteti i Prizrenit për karrierë, pasi isha kampion i Kosovës në 100, 200 ,400 metra e edhe kampion mbarëkombëtar në 100, 200, 400 m, si dhe kampion ballkanik në 4 x 100 m”, përfundoi ky atlet.
Naim Malazezi është emër i njohur për të gjitha gjeneratat. Aktualisht është 58-vjeçar. Aktiviteti i tij është i pandalshëm edhe sot. Vazhdon stërvitjet dhe merr pjesë në garat e veteranëve kudo që organizohen, prej nga sjell edhe medalje. Ndërkohë, prania e tij është e shpeshtë nëpër shkolla fillore dhe në klube sportive duke ua kultivuar fëmijëve dëshirën për sport dhe duke ua mësuar elementet kreyesore të vrapimit, sidomos ato të vrapimit në shtigje të shkurtra…
Si gazetar i sportit kam pasur rast të përcjell shumë gara të atletikës brenda e jashtë Kosovës. Kudo ku merrte pjesë Naimi njihej dhe respektohej pa masë nga trajnerët dhe atletët e klubeve të Kosovës dhe klubeve të shteteve përreth vendit tonë.
Të gjitha këto si dhe aktivitetet e rezultatet e bëjnë Naimin legjendë të sportit prizrenas apo do të mund ta quanim edhe mbret të mbretëreshës së sporteve. / Vllaznim Bytyçi