Ndërroi jetë profesori prizrenas, Masar Shporta
Sot, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare, profesori nga Prizreni, Masar Shporta.
Lajmin për vdekjen e profesorit e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët kanë njoftuar se lamtumira e fundit të ndjerit do t’i jepet nesër në varrezat e qytetit të Prizrenit.
Masar Shporta u lind më 15 nëntor 1928 në Prizren nga prindërit, Hafëz Sadik (Rrustem) Shporta dhe Zehra Shporta. Familja e Hafëz Sadik Shportës ka qenë një familje e njohur qytetare dhe e vjetër prizrenase, gjithashtu një familje e madhe tregtare me përkushtim kombëtar dhe arsimore, gjithmonë me synim për përparim, edukim dhe shkollim.
Profesor Masar Shporta, në shtator të vitit 1954 përfundoi fakultetin në Shkencat e Matematikës në Beograd.
Si luftëtar i të drejtave arsimore, shqiptare, kosovare e ngriti zërin haptas në tubimet e studenteve në Beograd, kundër mohimit të drejtave arsimore e kombëtare shqiptare e kosovare nga ana e regjimit totalitar shfarosës të Aleksandar Rankoviqit.
Prandaj, shumë herë u ndoq nga UDB-ja.
Ai u burgos në Beograd dhe pastaj sërish u burgos më 8 shkurt 1954 në Prizren.
Më pas ai u gjykua në një gjyq politik, i montuar i ashtuquajtur gjykimi i Procesit të Prizrenit. Dënohet me 6 vjet burgim të rëndë.
Dikur më 1954 deportohet në mbajtje të burgut në Kroaci, në burgun famëkeq të Goli Otokut. Më 1959 lirohet nga burgu Goli Otok, pas pesë vitesh vuajtje dënimi, torture e me punë të rëndë.
Në vazhdimësi kontribuon për të drejtat kombëtare dhe arsimore dhe në vijueshmëri ndiqet dhe burgoset shumë herë. Kontribuon dhe ndihmon UÇK-në, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe ndiqet nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe paramilitarët serbë.
Ai është dekoruar edhe me medaljen presidenciale vite më parë.