Në Abi Çarshi shënohet Dita Botërore e pingpongut
Me një aktivitet modest nga të rinj dhe veteranë, në ABI Çarshi është shënuar dita botërore e sportit të pingpongut në Prizren.
Pingpongistët e rinj, Sara Haskuka dhe Jasin Vraniqi, ndjehen të lumtur që janë pjesë e aktivitetit për shënimin e ditës botërore të këtij sporti.
Ata e pëlqejnë pingpongun dhe dëshirojnë që të merren aktivisht në të ardhmen. Për të parë këtë aktivitet nga afër, kishte dalur edhe kryetari i komunës, Shaqir Totaj me bashkëpunëtorë të tij.
Ai tha se me këtë aktivitete po dëshmojmë se Prizreni ka sens të përkrahjes së sportit në shumë aspekte, e cila po sjell rezultate të mira në pingpong, dhe një gjë e tillë duhet të ketë vijueshmëri më të mbarë edhe në të ardhmen, u shpreh ai.
Drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Adem Morina, tha se përmes kësaj vizite këtij aktiviteti, po tregojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur edhe sportistët dhe klubët e pingpongut prizrenas.
Ky aktivitet për shënimin e ditës botërore të pingpongut, ka për synim masovizimin e këtij sporti në Prizren i cili për dallim nga sporte të tjera, është në nivele më të kënaqshme, u shpreh kryetari i shoqatës së veteranëve të pingpongut, Remzi Shala.
Veterani i këtij sporti, dr. Sadri Hulaj, në ditën botërore të pingpongut, tha se ndjehet i lumtur që përveç sukseseve të klubeve të pingpongut nga Prizreni, edhe veteranët e këtij sporti janë mjaft aktiv duke marrë pjesë në gara të ndryshme ndërkombëtare.
Në kuadër të këtij aktiviteti, janë zhvilluar meçe miqësore nga anëtarët e klubeve të pingpongut ” Prizreni” dhe ” Shkolla e Prizrenit”.