Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë, që u takojnë 21 komunave.
Këto të dhëna ai i bëri publike përmes një postimi në “Facebook”.
Elezi ka thënë se procesi i votimit do të mbahet në 66 % të vendvotimeve.
“Kjo është harta e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që do të mbahet këtë të diele, më 14 nëntor 2021. Harta tregon se nga aspekti organizativ procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë këtyre 21 komunave, është 1,260,571”, ka shkruar Elezi në një postim në Facebook.
Zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se numri i votuesve të certifikuar në raundin e parë për zgjedhjet në 38 komuna ka qenë 1,885,448 votues.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet në 21 komuna më 14 nëntor, kurse fushata zgjedhore ka nisur dje.