Në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” po zhvillon punimet Konferenca VIII Ndërkombëtare për Trajtimin e Dhimbjes
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të shtunën ka nisur punimet Konferenca VIII Ndërkombëtare për Trajtimin e Dhimbjes.
Në hapjen solemne të punimeve të Konferencës, një fjalë rasti e mbajti Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, në cilësinë e nikoqirit të kësaj konference.
“Është kënaqësi e veçantë që në javën e parë të punës time si Rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, të marr pjesë dhe të jem nikoqir në hapjen solemne të punimeve të Konferencës së VIII-të Ndërkombëtare për Trajtimin e Dhimbjes. Nuk kam asnjë dyshim që gjatë punimeve të konferencës, pjesëmarrësit nga e gjithë bota, përmes prezantimeve shkencore, do të sjellin eksperiencat e tyre dhe të japin kontribut në këtë tematikë”, tha Rektori Alishani.
Ndërkaq ai e ka përgëzuar këshillin organizativ të Konferencës që ka bërë bashkë specialistë të shëndetit, mjekë dhe profesionistë të tjerë që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë shumë për të gjetur zgjidhje dhe për të ofruar trajtime për dhimbjen.
“Si Rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” mirëpres ngjarje të tilla në këtë institucion, pasi që ngjarje të tilla përveç se na nderojnë, janë edhe pjesë e pandashme e misionit të universitetit tonë”, theksoi Rektori Alishani. Në fund ai ju uroj suksese në prezantimin e punimeve të tyre, të gjithë pjesëmarrësve të konferencës.
Dr. Arsim Berisha zv. Ministër i Shëndetësisë, në fjalën e tij theksoi se dhimbja është armik që prek miliona njerëz në mbarë botën, duke penguar jetën e tyre të përditshme dhe duke ulur mirëqenien e tyre në përgjithësi. Ai bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka buxhetuar një program të veçantë për kujdesin paliativ në grantin specifik 3.2 milion euro. Ndërkaq, ai u shprehu ngushëllime familjeve dhe kolegëve për humbjen e jetës së profesionistëve shëndetësor duke luftuar kundër Pandemisë Covid-19.
Dr. Adem Bytyqi President i Konferencës, po ashtu përshëndeti fillimin e punimeve të konferencës duke ju dëshiruar suksese të gjithë profesionistëve dhe studiuesve.
Dr. Fadil Kryeziu Kryetar i Këshillit Shkencor vëri në pah se gjatë punimeve të Konferencës do të eksplorojnë kërkimet dhe resitë më të fundit në menaxhimin e dhimbjes. “Konferenca do të paraqesë prezantime nga ekspertë kryesorë në menaxhimin e dhimbjes, si dhe seanca posterësh dhe diskutime në panel”, bëri të ditur ai.