Nesër nis votimi nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale
Më 14 nëntor në Kosovë do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale 2021. Ndërkaq, periudha e votimit përmes postës do të fillojë të premten, nga 28 tetori deri më 12 nëntor, e që do të zgjasë 15 ditë.Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale numri i qytetarëve që kishin arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës ishte 15 mijë e 532 votues, kurse KQZ kishte pranuar 9 mijë e 610 zarfe me vota.
Nga organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës deklarojnë për Telegrafin se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet lokale është zakonisht më e ulët se në zgjedhjet parlamentare.
“Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet lokale zakonisht është më e ulët se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Kjo shpjegohet me faktin se pjesëtarët e diasporës afektohen relativisht më pak nga politikat e përditshme të nivelit lokal”, ka thënë për Telegrafin, Lirim Krasniqi nga organizata GERMIN.Kurse sa i përket trajtimit të fletëvotimeve nga KQZ, Krasniqi thotë se kësaj radhe procesi ka shkuar mirë.
“Fillimisht, procesin e verifikimit e kanë kaluar mbi 85% e zarfeve të pranuara. Më pastaj nga 9,610 zarfe të individualizuara, kanë rezultuar 9,130 vota të vlefshëm (për kryetar komunash) apo rreth 95% e totalit. Kjo tregon se është rritur cilësia e votimit nga diaspora dhe votat e pavlefshme janë shumë më të pakta në numër në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, është shprehur ai.
Në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bëhet e ditur se në 15 komuna kryesojnë kandidatët e LVV-së (Prishtinë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Podujevë, Fushë Kosovë, Obiliq, Kamenicë, Shtime, Drenas, Malishevë, Vushtrri, Kaçanik).Në 7 komuna më shumë vota nga diaspora kanë kandidatët e LDK-së (Pejë, Istog, Dragash, Junik, Suharekë, Lipjan, Novobërdë).
Në 3 komuna prijnë kandidatët e PDK-së (Viti, Skenderaj, Hani i Elezit).Edhe kandidatët e AAK-së janë të parët në 3 komuna (Rahovec, Deçan, Klinë).Ndryshe, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor.