Nesër protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës, Hoxha: Deklarimet e Kurtit shqetësuese
“Asnjë cent më shumë” do të jetë slogani i protestës së nesërme që do të mbahet kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe propozimit të bllok tarifës të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Organizatori Dibran Hoxha nga shoqëria civile në konferencë për medie të thirrur rreth protestës së “Asnjë cent më shumë” drejtoi kritika edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti që bëri të hënën në Kuvendin e Kosovës.
Hoxha tregon se sipas propozimit të vendosjes së bllok tarifës qytetarët do t’i pasurojnë bizneset dhe se çmimi për biznese nuk do të rritet fare dhe se kjo edhe do vështirësoje jetën e çdo qytetari.
“Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 KË/h. Kjo do të thotë që nëse një familje e ka paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re ata do të paguajë rreth 108 euro për energji elektrike. Përveç që i palogjikshëm ky propozim di t’i pasurojë edhe më tej bizneset në kurrizin e qytetarëve të Kosovës. Sipas propozimit çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare, kjo i bie që një familje mesatare në Kosovë që synim e ka jetesën apo mbijetesën paguan edhe për bizneset që synim kanë qarkullimin e fitimin”, ka thënë ai.
Ai tha se deklaratat e Kurtit në Kuvend janë shqetësuese dhe ofenduese për qytetarët.
“Kryeministri Kurti dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka thënë se qytetarët mund edhe të shantazhojnë edhe të fantazojnë për mos shtrenjtim apo mos subvencionim të energjisë, po vet kryeministri a kishte fantazuar kur thoshte se ne synojmë uljen e çmimit të energjisë, madje thoshte se do e nacionalizojmë këtë kompani posa të vijmë në pushtet. Deklarime të tilla të pamatura të kryeministrit janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e këtij vendi që synim e kanë të jetojnë dinjitetshëm në këto kushte e rrethana në Kosovë”, u shpreh ai.
Hoxha fton qytetarët që të dalin nesër në protestë për t’i kundërshtuar sic tha ai padrejtësitë që po i bëhen qytetarëve të Kosovës.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që nesër, ditën e mërkure duke filluar nga ora 12:00 të mblidhemi e ta kundërshtojmë e ta parandalojmë këtë padrejtësi të radhës që po bëhet ndaj nesh. Protesta nisë tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’ dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës me dy kërkesa mos shtrenjtimin e rrymës, pra mos-aprovimin e bllok tarifës së propozuar nga ZRrE-ja dhe nacionalizimin e KEDS-it”, shtoi ai.