Njëri nga të veçantit e Prizrenit – Salajdin Krasniqi: KRONISTI I QYTETIT QË ME SHKRIME E FOTOGRAFI E PËRJETËSON TË SHKUARËN
Shkruan: Çerkin Bytyçi
Salajdin Krasniqi, prizrenasi i devotshëm, kronisti i shembullt që shkruan dhe mbetet i veçant në histori, është mburrje e qytetit të tij, mbase, angazhohet pandalshëm dhe në asnjë çast nuk pushon për te, jeton me dashurinë e zjarrt për secilën lagje e rrugë, për Shadërvanin e Urën e Gurit, për shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit e kalanë shekullore, për Rrapin në Marash dhe Lumëbardhin, për zejet e vjetra e të reja, bukuritë mahnitëse e thesaret dhe njerëzit e tij që ngahera e tash. Ai, vazhdon e nuk ndalet, për t‘i bërë në një vend dëshmitë materiale, margaritarët dokumentarë të Prizrenit të lasht për të cilin zemra i rrah tashmë afro tetë dekada. I flejnë në shpirt fotografitë e vjetra dhe ato, disa qindra, në arkivin e tij, të mbledhura dhe ruajtura me pasion, paraqesin një më shumë se histori të dekadave dhe shekujve të udhëtimit të këtij qyteti me traditë deri në ditën e sotme.
Sala në Prizren, njihet nga i madh e i vogël. Modestia e tij është virtyt që bashkë me humanizmin e tij e bëjnë të veçant. Çdo ditë kalon Urës së Gurit dhe në Shadërvan, në lokalet rreth çezmes, mbi tavolinë, pos kafes, ka edhe letrën dhe lapsin. Duke medituar pret inspirimin për ndonjë varg të ri poezie ose për ta regjistruar ndonjë të dhënë të padëgjuar, të rëndësishme për historikun e Prizrenit. Sa u gëzohet kalimtarëve, atyre që në heshtje ia tregojnë ose ia dhurojnë ndonjë fotografi të hershme sepse, ky kronist i qytetit të tij, secilën e konsideron si një tullë me vlerë për murin e historikut të qytetit, të familjeve dhe njerëzve të Prizrenit.
Salajdin Krasniqi nuk është historian por është njohës i mirë i historisë së qytetit. Ai, nuk është entomuzikolog por, traditën etnografike dhe muzikore të Prizrenit e njeh në hollësi. S‘është as gjeograf por, për secilin sokak dhe lagje rrëfen si cicëro që thua se është rritur bashkë me to. Ky kronist i pandalshëm, në memorien e tij (shumë gigabajtshe), ka të regjistruar përplot emra të personaliteteve që me veprimtarinë e tyre, lanë gjurmë të pashlyeshme në sfera të ndryshme e në veçanti, të esnafëve të devotshëm, të zejtarëve të vyer e me tradita familjare, të të shquarëve në arsim, kulturë, shëndetësi, sport e sfera tjera.
Sala, qytetit të Prizrenit, ia dinë çdo fshehtësi. Ai ka njohuri edhe për çezmet, urat, monumentet e ngjarjet dhe si i tillë, paraqet një enciklopedi të qytetit dhe flet me kompetencë për te dhe lashtësinë e tij.
Salajdin Krasniqi, i lindur e rritur në Prizren (1948), që herët u interesua për traditën e qytetit të zemrës. Që nga shkolla fillore filloi të shkruan vargje letrare. Si nxënës i shkollës së mjekësisë, lexonte në orët letrare dhe nga ajo kohë, në notesin e tij filloi të evidenton rrëfimet e të moshuarëve për qytetin dhe njerëzit e tij. Që nga atëherë i shkrepi ideja edhe për tu bërë koleksionist fotografish.
Si teknik medicinal në spitalin e Prizrenit, përkatësisht në repartin e sëmundjeve infektive, ushqehej me angazhimin e shembullt profesional e human të mjekëve të devotshëm Dr. Daut Mustafa, Dr. Salajdin Jagxhiu, Dr. Durak Rada, Dr. Xhelal Xhibo, kolegut të zellshëm-Latës e të tjerëve që s‘bënin gjumë të qetë për të qenë në shërbim të njerëzve. Sala, krahë për krahë me këta burra të rëndë e të profesionit, u vu në shërbim të luftimit të sëmundjeve shfarosëse Variolës, turbekulozës, verdhëzës etj. Me kujdes të veçant mbante shënime dhe mblidhëte fotografi, pa pandehur se dikur, po këto, do të përmblidhen në librat që si dëshmi e kohës, do t‘iu mbeten gjeneratave të tashme e të ardhëshme.
Salajdin Krasniqi, aktualisht është krijuesi më produktiv prizrenas që lexuesit ia dhuroi disa përmbledhje me poezi por edhe disa libra të botuar me fotografi të vjetra që bashkë me tekstet përshkruese paraqesin historikun e rritës së Prizrenit.
Salajdin Krasniqi, që veprimtarinë e vet krijuese kryesisht, dhe jo vetëm, ia kushton Prizrenit, është autor i përmbledhjeve me poezi “Lule në gurë” (1981), „Shpalim shprese”, “Një plagë e moçme”, “Agimi i Agimeve të bardha” „Rrapi i Prizrenit“, „Shtegu i vargut tim“ (2022), „Kur flet kalldërmi“ (2022) dhe i botimeve tejet të rëndësishme publicistike kushtuar qytetit të Prizrenit dhe njerëzve të tij siç janë monografia “Prizreni, udhëtim nëpër kohë”(2002), Monografia për teatrin e Prizrenit me titull “Jehu i Talias”(2009), libri kushtuar personaliteteve të veçanta dhe historikut të Prizrenit me titull “Rrapi i Prizrenit”, libri kushtuar personelit mjekësor të Prizrenit me titull “Infermieria në Prizren 1945-2012” (2016), libri kushtuar 250 personaliteteve të shquara të Prizrenit dhe të rrethinës me titull “Në kujtesën e qytetit”, pastaj libri-album me fotografi të vjetra të qytetit etj.
Vlen të veçohet libri “Fotografitë që e pavdekësuan Prizrenin” (2024) ku janë paraqitur mëse 500 fotografi të realizuara nga fotograf të ndryshëm, madje që nga viti 1863, që pasqyrojnë bukuritë e Prizrenit, pamjet mbresëlënëse të lagjeve të qytetit, personaliteteve të shquara historike, nga thesari kulturor, arsimi, shëndetësia, zejtaria, pastaj edhe fotografi të monumenteve kulturo-historike, objekteve fetare, objekte nga arqitektura e të tjera.
Salajdin Krasniqi është bashkëthemelues i klubit letrar „Fan S. Noli“ të Prizrenit dhe njëri nga organizatorët e manifestimit letrar „Muzgjet e Prizrenit“. Poashtu edhe njëri nga inicuesit e botimit të përmbledhjes me poezi „Filigran“ të anëtarëve të klubit. Si krijues tejet i zellshëm, inicoi dhe ndihmoi edhe organizimin e klubeve letrare në shkolla dhe fshatra e sidomos, të Klubit letrar të Shoqërisë „Agimi“ të Prizrenit. Ishte dhe mbeti inspirim edhe për shumë krijues të rinj dhe bashkëorganizues (me Frrok Kristaj) i udhëtimit të përbashkët të anëtarëve të klubeve letrare „Fan S. Noli“ të Prizrenit dhe „Shtjefën Gjeçovi“ të Zymit në Shqipëri, në vitin 1978.
Salajdin Krasniqi, vlerësohet edhe për angazhimin e tij të jashtzakonshëm humanitar dhe sidomos për veprimtarinë shumëvjeçare tejet të frytshme në organizatën e Kryqit të Kuq komunal dhe atë të Kosovës, ku, përmes seminareve, ligjëratave, përgatitjes së ekipeve të ndihmës së parë dhe kujdesit shtëpiak ndihmoi në avansimin e mbrojtjes shëndetësore të qytetarëve.
Është i çmuar dhe i vlerësuar nga të gjithë që e njohin sepse, ai, me modestinë e tij medaljon, është i veçant. Të veçant e bën edhe puna e tij e pandalshme për të mirën e qytetit dhe të njerëzve të tij. Në saje të vlerave të tij bujare të njeriut të angazhuar, është i rrethuar me shumë shokë, kurse të pandashëm ishin dhe mbeten me shkrimtarët e spikatur e të dalluarit e kulturës Skender Zogaj, Nexhat Halimi, Nexhat Çoçaj, Berat Batiu e të tjerë. Shkrimtarin dhe dramaturgun Musa Ramadanin e kishte inspirues dhe mbështetës të vazhdueshëm të krijimtarisë.
Prizreni, krenohet me Salën e veprën e tij krijuese letrare e publicistike. Krenohet me kronistin e përmasave të veçanta që thesarin e jashtzakonshëm të traditës e përjetëson për gjeneratat e ardhëshme.
Salajdin Krasniqi, u mungon qyteteve tjera dhe ai, për Prizrenin është më shumë se institucion.