Njihuni me 17-vjeçarin që jeton në tren: Kam lirinë që të shkoj ku të dua
Lasse Stolley mund të kishte zgjedhur të bënte një jetë të zakonshme. Të përfundonte gjimnazin, të vazhdonte universitetin dhe ndoshta më pas të niste një punë për të fituar jetesën. Por, ky 17-vjeçar, në vend që të bënte këto gjëra, vendosi t’i hipte trenit.
Nuk e kemi fjalën metaforikisht, pasi ky djalë vendosi që t’i hipte trenit dhe të mos zbriste më, pasi vendosi ta bënte shtëpinë e tij. Adoleshenti gjerman ka pothuajse dy vite që jeton në këtë “shtëpi mbi binarë” dhe përmes rrjeteve të tij sociale tregon historinë e tij të veçantë. Ndoshta gjëja më e vështirë, përpara se të niste udhëtimin, ishte të bindte prindërit e tij se ajo që do të bënte do të ishte më e mira për të.
“Unë jam Lasse, jam 17 vjeç dhe më pëlqejnë shumë udhëtimet! Unë jetoj në tren që nga vera e vitit 2022 dhe kam ndërruar vendbanimin tim për një BahnCard 100 të klasit të parë”, është mesazhi që mund të lexohet ndër postimet e tij më të fundit në Instagram. Kjo është një lloj bilete treni në Gjermani që lejon udhëtime të pakufizuara në bordin e çdo treni në shërbimin hekurudhor të vendit.
Siç shpjegon i riu, fakti i të jetuarit në bordin e trenit i lejon atij të ketë “lirinë” për të vendosur se ku të shkojë në çdo kohë. Dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka udhëtuar më shumë se 635 000 kilometra nëpër çdo cep të Gjermanisë dhe jashtë saj.
“Duke ngrënë mëngjes pranë Detit Baltik dhe duke shijuar perëndimin e diellit në Alpe në mbrëmje: mundësitë janë të pafundme”, shton ai për mënyrën e tij të jetesës.
Aboneja me të cilin ky i ri gjerman udhëton në të gjitha anët e vendit është nga më ekskluzivet, me një çmim rreth 5900 euro në vit. Falë kësaj aboneje ju mund të shijoni çdo centimetër të rrjetit hekurudhor gjerman, në trenat rajonalë, metropolitane dhe me shpejtësi të lartë. Sipas “Business Insider”, Lasse udhëton rreth 960 kilometra në ditë. Krahas çmimit të abonesë, shpenzimet e tjera si veshmbathje, ushqime apo bileta për muze, ndër të tjera, e çojnë faturën në 10 mijë euro në ditë.
Si e përballon këtë shpenzim? Edhe pse 17 vjeç, ai e ka një punë, të cilën e bën në tren: ai është një programues aplikacionesh për celularë. Thjesht ai ndez laptopin, zë një vend me tavolinë (nëse është e mundur) dhe fillon të punojë. Ndërsa në kohën e tij të lirë, ai shijon vende turistike në mbarë botën.
Në verën e vitit 2022 ai vendosi të linte shtëpinë e tij në Fockbek pas për të nisur një aventurë të re. Dhe ai e nisi pothuajse pa bagazhe: katër këmisha, dy pantallona dhe disa të brendshme brenda një çante shpine.
Në tren, ai ka në dispozicion edhe një batanije udhëtimi për ditët më të ftohta dhe një jastëk qafe. Ai planifikon ditën e tij përmes një aplikacioni, me të cilin menaxhon rrugët e tij. Dhe për të shfrytëzuar sa më shumë kohën e tij, ai përpiqet të flejë në udhëtime gjatë natës, ndonjëherë në kabina private dhe, kur kjo nuk është e mundur, në dhoma të përbashkëta.
Ai gjithashtu shfrytëzon rastin të lajë rrobat në lavamanë dhe pishina publike përgjatë rrugës së tij./A2CNN