Nuk ka nevojë për panik, Kosova ka mjaftueshëm miell
Fabrika për prodhimin e miellit “M&Sillosi” ka njoftuar të gjithë qytetarët se në treg ka mjaftueshëm miell dhe nuk ka nevojë që të bëhet panik.
Në njoftimin e tyre për media thuhet se furnizimi me grurë është i rregullt dhe prodhimi po vazhdon me kapacitete të plota.
“M&Sillosi” zotohet se nuk do të lejojë që tregu i Kosovës të mbetet pa sasinë e nevojshme të miellit për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve.
“Nuk ka asnjë arsye për panik. Ashtu siç edhe ka ndodhur në të kaluarën, M&Sillosi me brendet e saj Finnesa, Dellino dhe Sofra ka arritur që të furnizojë tregun e Kosovës me sasi të nevojshme të miellit dhe nuk ka lejuar që të mbetet tregu pa furnizime të mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e qytetarëve për miell. Këtë e bëjmë edhe tani dhe do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Kapacitetet tona të prodhimit dhe të deponimit janë të mëdha”.
Kjo fabrikë ka kërkuar nga qytetarët që të mos krijojnë stoqe të panevojshme, duke shtuar se nëse të gjithë blejnë përnjëherë do të krijojnë vështirësi në furnizimin me miell.
“Njëkohësisht, M&Sillosi kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave dhe të disa tregtarëve të papërgjegjshëm të cilët arrijnë të përfitojnë nga kjo situatë. Nuk ka nevojë për krijimin e stoqeve të panevojshme nëpër shtëpitë tuaja. Në të gjitha marketet furnizimet me miell vazhdojnë dhe ato do të mbahen të furnizuara me rregull. Nëse të gjithë blejnë përnjëherë është e vështirë të ketë miell tërë kohën. Prandaj, mos bëni panik sepse miell ka mjaftueshëm dhe nuk kemi mungesë të rezervave të grurit”.
Ky reagim i “M&Sillosi”, që është prodhuesi më i madh në rajon i miellit nga gruri, vjen pas shqetësimit të qytetarëve për mungesë të mundshme të miellit në treg pas zhvillimeve të fundit në tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë.