OBSH: Sa më shumë të përhapet virusi, vaksinat mund të bëhen më pak efektive
Marrëveshjet e vendeve të pasura me prodhuesit e vaksinave anti-covid po minojnë iniciativën Covax, duke ulur numrin e dozave që mund të blihen. Pohimi vjen nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë theksoi se sa më shumë që të përhapet virusi, aq më të mëdha janë shanset që ai të ndryshojë duke i bërë vaksinat më pak efektive.
Tedros Adhanom Ghebreyesus shtoi se ka një boshllëk prej 22.9 miliardë dollarësh për të financuar plotësisht qasjen në mjetet e nevojshme për të luftuar pandeminë koronavirus.
Ai shtoi se paratë nuk janë e vetmja sfidë për OBSH-në, pasi nëse nuk ka vaksina në dispozicion për të blerë, atëherë fondet janë të parëndësishme.
“Aktualisht, disa vende të pasura po bëjnë kontrata me prodhuesit e vaksinave që minojnë marrëveshjet që Covax ka arritur dhe reduktojnë numrin e dozave që ky organizëm mund të blejë. Edhe nëse ne kemi fonde, ne mund të shpërndajmë vaksina për shtetet e varfra, vetëm nëse vendet e pasura bashkëpunojnë duke respektuar ujditë që Covax ka bërë. Kjo nuk është një çështje bamirësie, por epidemiologjike”, tha Ghebreyesus.
Aktualisht, më shumë vaksina po zhvillohen dhe prodhohen globalisht dhe në të ardhmen do të ketë doza mjaftueshëm për të gjithë. Por, për momentin, dhe përgjatë këtij viti do të jenë një burim i kufizuar, ndaj OBSH-ja këshillon që të përdoren në mënyrë strategjike.
Ghebreyesus u bëri thirrje të gjitha shteteve, përfshirë atyre të pasura, që të ndajnë menjëherë dozat në dispozicion dhe prodhuesve që t’u japin prioritet kontratave me Covax si dhe për të rritur prodhimin e vaksinave anti-covid.