OEK kundër shtrenjtimit të energjisë për bizneset: Do falimentonin shumë kompani
Komuniteti i biznesit po kundërshton fuqishëm çdo ide që barrën e shtrenjtimit të energjisë elektrike ta mbajnë ata. Oda Ekonomike e Kosovës është kundër propozimit të Ministrisë së Financave duke thënë se shtrenjtimi do të ketë pasoja të pariparueshme. Kreu i OEK, Berat Rukiqi, thotë se me rritjen e tarifave për ta, shumë biznese do të kishin fatin e “Ferronikelit”.
OEK nuk ka dërguar asnjë koment në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për strukturën e re të tarifave të energjisë, por Rukiqi tërheq vërejtjen se nëse ZRrE-ja merr vendim për shtrenjtim të energjisë elektrike për bizneset, kjo do ta rendonte tej mase veprimtarinë e tyre.
Rukiqi deklaroi se në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë shtrenjtim të energjisë elektrike, pasi një gjë e tillë, sipas tij, do të çonte shumë biznese drejt falimentimit.
“Jo, absolutisht dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm nëse ka rritje të çmimit të rrymës për bizneset. Një pjesë e mirë e bizneseve nuk do të kenë rrugëdalje përveç mbylljes nëse ndodhë rritja me bllok tarifa. Ne kemi luftuar shumë për të larguar bllok tarifën për bizneset, atëherë kur është larguar, pasi që ka qenë e dëmshme për konkurreshmërinë e bizneseve. Dhe krijimi i bllok tarifës për bizneset është vendim që shumë biznese do t’i dërgonte drejt mbylljes. Por, fatmirësisht me propozimin e ZRrE-së nuk është paraparë rritje e tarifës për bizneset”, thekson ai.
Rukiqi, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar arsyet pse nuk kanë dërguar propozim-komente në ZRrE për strukturën e re të tarifave për energjinë elektrike.
Ai foli edhe për pasojat që mund t’i kenë punëtorët e sektorit privat nëse ndodhë ngritja e tarifave të energjisë elektrike për bizneset.
“Ne nuk kemi dërguar (propozime) për shkak se propozimi i ZRrE-së nuk ka paraparë një gjë të tillë. Ne i kishim dërguar nëse e kishin paraparë. Pra, nuk është që na ka prek dhe në këtë rast propozimi i ZRrE-së nuk na ka bërë palë të interesit për shkak se nuk ka propozuar ndonjë implikim për bizneset. OJQ-të dhe ministritë kanë të drejtë. Por, nuk është dukur i arsyeshëm as propozimi i Ministrisë së Financave, e as propozimi INDEP-it që të ketë rritje të çmimit për bizneset. Për këtë duhet të maten efektet që janë te bizneset. Nëse një biznes mbyllet, ata punëtorë të sektorit privat e humbin vendin e punës, e nuk mund ta paguajnë (energjinë), as me të lirë e as me të shtrenjtë. Ky është efekt imediat, e them këtë me plotë bindje për shkak se margjinat e operimit te bizneset janë rritur edhe kostot e tjera. Po ashtu ka pasur vazhdimisht edhe efekte të pandemisë, nëse ia kishim shtuar bizneseve edhe rritjen çmimeve të energjisë elektrike kjo do të ishte me pasoja të të pariparueshme ku shumë prej tyre do t’i detyronte të ndërprenë aktivitetin biznesor qysh na ka ndodhur me rastin e ‘Feronikelit’”, thotë ai.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i kishte propozuar që barra e shtrenjtimit të energjisë elektrike të bartet edhe tek bizneset.
Ndër të tjera, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi deklaroi se viti 2022 do të jetë i vështirë në aspektin ekonomik, teksa thekson se rimëkëmbja ekonomike po cenohet nga dy faktorë.
“Tani rimëkëmbja po cenohet nga dy faktorë. Faktori i parë është rritja e çmimeve dhe jo stabiliteti zinxhirë i furnizimit, edhe faktori i dytë është paparashikueshmëria. Vazhdimisht po ka masa sikur këto të fundit tek të cilat i kemi konsideruar që janë drastike me orën policore, me kufizimet e orareve dhe të lëvizjes së punëtorëve[…]Vazhdoj të insistoj që nuk do të jetë vit (2022) i lehtë pasi që me shumë paparashikueshmëri është mbyllë viti 2021… Çrregullimet në tregjet globale, elementet gjeopolitike, një konflikt në periferinë e Evropës nuk e bënë me të lehtë për askënd. Do të ketë efekte në ekonominë globale, dhe inflacioni që i ka kaluar kufijtë e pritshëm në nivel global do ta bëjë edhe për neve sigurisht më të vështirë këtë vit. Prandaj, institucionet e vendit, qeveria dhe parlamenti të nxjerrin vendime me fokus ruajtjen e sektorit privat”, thotë ai.