Opozita e Prizrenit me akuza për ndikime politike në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prizrenit ka anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorëve të 30 shkollave, me arsyetimin se aplikantëve u kanë munguar dokumentet e caktuara. Por opozita përsëritjen e konkursit po e sheh si kalkulim politik të pushtetarëve, derisa shoqëria civile ka bërë thirrje për proces më transparent
Anulimi i konkursit për zgjedhjen e drejtorëve të 30 shkollave në Komunën e Prizrenit, si dhe rishpallja e tij nga opozitarët po cilësohet si kalkulim politik i qeverisjes komunale.
Por, sipas udhëheqësve të Drejtorisë së Arsimit, këto pretendime nuk janë të qëndrueshme, pasi thonë ata, konkursi për zgjedhjen e drejtorëve në 30 shkolla është anuluar për shkak të dokumenteve të pakompletuara të kandidatëve. Zyrtarët e kësaj drejtorie kanë bërë të ditur se për të respektuar legjislacionin në fuqi, është hapur sërish procesi i rekrutimit për drejtorët e shkollave.
Kuvendari nga radhët e LDK-së, Haziz Hodaj, në rrjetet sociale ka shprehur qëndrimin se përsëritja e konkursit është pjesë e kalkulimeve politike, që e dëmton arsimin.
“Përsëritja e konkurseve për kalkulime politike është edhe një sinjal shtesë se shkolla jonë nuk është gjë tjetër veçse një laborator eksperimentesh e që rezultatet e këtyre eksperimenteve janë sa dëshpëruese, po aq edhe alarmante”, ka shkruar Hodaj.
Drejtoresha komunale e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, gjatë një konference për media ka mohuar pretendimet për kalkulime politike në procesin për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave.
“Nuk ka kalkulime politike, por ka mungesë të dokumenteve, ndoshta edhe krejt të thjeshta, mirëpo që nuk është e kompletuar dhe që nuk ia jep të drejtën aplikantit të vazhdojë tutje me procesin. Përtej kësaj unë i ftova dhe po i ftoj prapë njerëzit që të aplikojnë. Ata të cilët kanë dilema, kanë të drejtë që të kërkojnë qasje në dokumente dhe qasja në dokumente i lejohet secilit, kështu që nuk ka asnjë kalkulim politik”, ka thënë ajo.
Lidhur me kërkesat e shoqërisë civile që procesi të jetë i hapur prej fillimit, drejtoresha ka theksuar se komisioni përkatës është përgjegjës për shqyrtimin e dokumenteve.
“Kurse për reagimet të cilat i kanë bërë, mendoj se duhet të ketë një bazë të qëndrueshme për të reaguar diku. Procesi është shumë transparent, ju garantoj edhe njëherë se nuk ka asnjë kalkulim. Po të kishte kalkulime, 30 shkolla nuk do të shkonin në rishpallje”, ka deklaruar zyrtarja e lartë komunale.
Konkursi për zgjedhjen e drejtorëve të mbi 30 shkollave të Komunës së Prizrenit ishte shpallur më 19 prill 2022, derisa afati për aplikim ka qenë nga data 19 maj, deri më datën 26 maj 2022. Opozita prej kohësh ka shprehur shqetësimin për përbërjen e komisioneve përzgjedhëse, derisa ekzekutivi është zotuar për proces të rregullt dhe pa ndikime politike.