Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave, gazetarin rom Nexhip Menekshe
Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësues të këtij komunitetit të kryesuar nga deputeti Ergjan Galushi.
Presidentja Osmani ka uruar përfaqësuesit rom në Ditën Ndërkombëtare të tyre dhe ka theksuar se Republika e Kosovës është shtet i lirë dhe demokratik në të cilin respektohen standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Sipas Presidentes Osmani, komuniteti rom krahas komuniteteve të tjera është pjesë e rëndësishme e diversitetit kulturor të Kosovës dhe se ka dhënë kontribut në procesin e shtetndërtimit të vendit.
“Në Kosovë, të gjitha komunitetet duhet kenë mundësi të barabarta, sikurse edhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Komuniteti rom ka dhënë kontribut në shtetformim, në ndërtimin e fundamentit të shtetit tonë”, ka thekuar Presidentja Osmani.
Me rastin e kësaj Dite, Presidentja Osmani ka dekoruar post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, dramaturgun, gazetarin dhe mësuesin e gjuhës rome, Nexhip Menekshe.