Paqartësia me tatimin në pronë: Faturat e shtrenjta, plus kamatat e larta për mospagesë
Qytetarëve të Kosovës nga një janari i këtij viti faturat e tatimit në pronë iu janë dërguar më të shtrenjta, pas rivlerësimit të pronave që ka bërë Ministria e Financave.
E, deri në një vendim tjetër këta të fundit do të jenë të detyruar t’i paguajnë ato me çmime të rritjes, ani pse ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë një propozim që komunat t’u falin qytetarëve nga 100 euro.
Një gjë e tillë u demantua pikërisht nga zyra ligjore e kësaj Ministrie, e cila ka thënë se legjislacioni aktual nuk autorizon Komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë.
Por, pavarësisht kësaj disa Komuna e kanë përkrahur këtë vendim dhe e kanë votuar.
I, njëjti nuk mund të zbatohet deri në një vendim të Ministrisë së Financave.
Kjo e fundit tani po thotë që do ta sjell në Kuvend amandamentin që i lejon komunat të falin borxhin e tatimit në pronë në vlerë prej 100 Euro, por ende nuk ka vendim të tillë.
Në rast të mos pagesës së faturave me kohë, qytetarëve do iu rritet edhe kamata.
Drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një përgjigje për Front Online thotë se nëse Ministria nuk e pezullon vendimin sa i përket veprimit që e ka bërë ato fatura për tatimin e pagesës në pronë nuk do të ndryshojnë.
“Nëse qytetarët nuk i paguajnë këto fatura, atëherë me ligjin mbi tatimin në pronë do t’iu shtohen edhe gjobat dhe kamatat. Pra nëse Ministria nuk e ndërron vendimin qytetarët janë të obliguar ta paguajnë faturën e tatimit në pronë ashtu siç i ka shkuar, pra me këtë rritjen enorme që është bërë pa konsulta me komunat dhe nëse nuk e paguajnë në rrethana të tanishme atëherë ata pjesën e dytë do ta paguajnë me gjoba dhe kamata, pra gjithçka bjen nën përgjegjësinë e Ministrisë”, ka deklaruar Ibrahimi
Ibrahimi, thotë se kanë bërë kërkesë që ky vendim të pezullohet, por se nuk kanë marrë përgjigje nga ministri Murati, dhe se kjo sipas tij nuk është hera e parë.
“Nuk është hera e parë që ministri Murati nuk kthen përgjigje në kërkesat e kryetarëve, kjo është duke ndodhur në vazhdimësi edhe në kërkesën e kryetarëve të komunave që i është drejtuar kryeministrit dhe ministrit ku është kërkuar pezullimi i vendimit, por gjithashtu edhe mos ngritjen e tatimit në pronë ministri Murati nuk ka kthyer përgjigje edhe pse ka thënë se do t’i dëgjojë kryetarët e komunave se çka mendojnë, por deri më tani nuk ka kthyer përgjigje”, ka shtuar ai.
Kurse, ka folur edhe për amendamentin e ligjit përmes së cilit do të bëhet e mundshme falja e 100 eurove.
“Tash ministri Murati deklaron se në kuadër të amandamentit të ligjit do ta bëjë të mundshme edhe faljen e këtyre 100 eurove, mirëpo ne nuk e dimë sa zgjatë procedura e amandamentimit të ligjit. Tash nëse ligji nuk amandamentohet brenda një kohe të shkurtë atëherë nëse qytetarët nuk e paguajnë tatimin në pronë brenda afatit të caktuar atëherë do ta paguajnë me gjoba dhe kjo për shkak të fajit të ministrit i cili nuk është duke e marrë një veprim sa i përket pezullimit të vendimit apo mos shtrenjtimit të faturave të tatimit në pronë”, është shprehur Ibrahimi.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi po kërkon nga Qeveria që të pezullohet vendimi për rritjen e tatimit të pronë.
“Përderisa nuk rregullohet çështja e vlerës të tatimit ose vlerën e çmimit që e ka përcaktuar komisioni ne kishim kërkuar që të pezullohet ky vendim dhe të shkohet me vendimin e vitit të kaluar, deri në vendim të ri të vlerësimit qeveritar për vlerësimin e pronave”, ka thënë ai
Por, thotë se është skeptik që mund të ndodhë një gjë e tillë.
“Duke e marrë parasysh drejtën me thënë se kjo Qeveri gjithmonë thotë po dhe del jo jam skeptik, por uroj që kësaj radhe të dëgjohet zëri dhe shqetësimi i qytetarëve, por megjithatë është vendim i nivelit qendror me shpresë që do të reflekton”, ka shtuar ai.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri deklaron për Front Online se qytetarëve nuk mund t’iu falen 100 euro për tatimin në pronë sepse kjo s’mund të bëhet s’mund të bëhet pa ligj.
Kurse deklarata e ministrit Murati po përdoret për marketing politik.
“Ministri mundet me ligj me bë këtë punë me çu në Parlament sepse s’mundet me fal këtë pune, por kjo po përdoret për marketing politik dhe unë nuk merrem me atë punë. Qeveria duhet me qenë proaktive edhe nëse dëshiron ka mundësi, me zbrit shkallën e poshtme të koeficientit që i taton qytetarët prej 0.15% më bë 0.1 dhe mandej kjo rritje eliminohet dhe nuk ka asnjë telashe. Le ta bëjë me ligj, kjo me fjalë nuk bëhet, duhet me pru ligj në parlament”, është shprehur Muhaxheri.
I, pyetur se nëse projektligji nuk sillet në parlament, Muhaxheri ka dhënë një përgjigje të shkurtë.
“Nëse se bjen i dëmton komunat, sepse njerëzit presin me pagua, iu rritet tatimi dhe kjo punë shkon kështu duke u zhagitë”, ka thënë kryetari Muhaxheri.
Lidhur me rritjen e tatimit në pronë ka shkruar edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Kica-Xhelili e ka quajtur si ping-pong ligjor nismën e Ministrisë së Financave për faljen e borxhit të tatimit në vlerë 100 euro.
Sipas deputetes së LDK-së e gjithë kjo po bëhet që të amnistohen gabimet ligjore të Ministrisë së Financave.
Për çështjen në fjalë, Front Online ka kërkuar përgjigje edhe në Ministrinë e Financave, por të njëjtit nuk iu janë përgjigjur pyetjeve të portalit.
Ende, nuk dihet nëse Ministria do të ndërmarrë ndonjë hap konkret për ta lehtësuar situatën në lidhje me rritjen e tatimin në pronë, ndaj të cilit shtrenjtim qytetarët kanë paralajmëruar edhe protestë.