Përkujtohet 22 vjetori i Betejës së Kabashit
Për shkak të situatës së pandemisë, 22 vjetori i Betejës së Kabashit nuk është organizuar në Korishë, por të rënët për liri janë nderuar me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.
Të mërkurën, familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës, banorë të Korishës dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, në përkujtim të 22 vjetorit të betejës së Kabashit.
Ish komandanti i batalionit të dytë të UÇK-së në Kabash, Lulzim Kabashi, tha se në këtë përvjetor të njërës nga betejat e lavdishme të UÇK-së ku ranë në altarin e lirisë tre dëshmorë, ne jemi këtu që të ngrisim ndjenjën e sinqertë për veprën sublime të të rënëve për lirinë e Kosovës.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se muaji mars është muaji i shumë ngjarjeve historike dhe të lavdishme të kombit tonë përfshirë edhe betejën e Kabashit, dhe neve na mbetet që gjithmonë të kujtojmë sakfiricën e dëshmorëve për lirinë e vendit tonë.
Sekretari i degës së OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, tha se betejat e lavdishme të luftës çlirimtare nuk mund të zbehen, ato edhe sot po kanë jehonë dhe duhet të respektohen e të nderohen edhe në të ardhmen.
Në betejën e lavdishme të Kabashit të 17 marsit të vitit 1999 ranë heroikisht në krye të dëtyrës tre dëshmorët nga Korisha, Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi./ Tv Prizreni