Pfizer/BioNTech dhe Moderna efektive kundër llojit të ri indian të COVID-19
EMA ishte në pritje të të dhënave shtesë nga India, ku po administrohet një version i vaksinës AstraZeneca.
Vaksinat COVID-19 të prodhuara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna duket se janë efektive kundër llojit të ri indian, tha të mërkurën Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), shkruan “Euronews”.
“Të dhënat e rishikuara nga rregullatori evropian mbi efikasitetin e vaksinave Pfizer/ BioNTech dhe Moderna kundër variantit të zbuluar në Indi janë inkurajuese”, tha menaxheri i strategjisë së vaksinave, Marco Cavaleri në një konferencë për shtyp.
Cavaleri ishte gjithashtu optimist se vaksinat e prodhuara nga AstraZeneca\Oxford dhe Johnson & Johnson do të mbronin njerëzit nga ky variant i ri.
Por, ai shtoi se EMA ishte në pritje të të dhënave shtesë nga India, ku po administrohet një version i vaksinës AstraZeneca.
“Deri më tani, në përgjithësi, ne jemi goxha të sigurt se vaksinat do të jenë efektive kundër këtij varianti,” tha ai.
Komisioni i BE bëri thirrje të mërkurën që 27 vendet anëtare të bllokut të ndalojnë përkohësisht të gjitha udhëtimet jo-thelbësore në dhe nga India, pas shqetësimeve për përhapjen e variantit.
Disa vende evropiane duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Belgjikën tashmë e kanë kufizuar në mënyrë të ashpër aksesin për udhëtarët nga India.