Policia ndalon një kamion në Prevallë, gjen 25 viça të cilët dyshohet se janë kontrabanduar
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandës me kafshë.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se në Prevallë, Policia ka ndaluar një kamion ku brenda janë gjetur 25 viça.
“Pas pranimit të një informate për një automjet të dyshuar në Prevallë të Prizrenit, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Vërmicë, menjëherë kanë ndërmarrë veprime dhe rreth orës 15:00, të datës 22.11.2021, është ndaluar një kamion. Gjatë kontrollit të automjetit (kamionit) me targa vendore, janë hasur 25 (njëzet e pesë) viça që dyshohet se janë kontrabanduar”, thuhet në njoftim.
Tutje, Policia bën të ditur se ka identifikuar tre persona që dyshohet të janë marrë me këtë veprimtari, ata janë: A.K., (viti i lindjes 1980, mashkull kosovar), K.B., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) dhe R.R., (viti i lindjes 1994, mashkull kosovar).
“Gjatë procedurave policore është kuptuar se kafshët (viçat) e gjetura në kamion ishin të kontrabanduar nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Kafshët janë dorëzuar në Doganën e Kosovës.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, është iniciuar rasti ndaj tre të dyshuarve të lartcekur, ata janë intervistuar dhe më vendim të prokurorit rasti vazhdohet në procedurë të rregullt”.