Policia në Prizren ndalin një 27 vjeçar të dehur, i gjejnë kokainë e marihuanë
Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia.
E një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Jusuf Gërvalla’ më Prizren, ku një patrullë e Policisë kanë ndalur një person nën dyshimet për posedim të gjërave të kundërligjshme.
Mwsohet se gjatë kontrollit te 27-vjeçari kanë gjetur substanca të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë, të cilat janë sekuestruar nga njësitet policore.
I dyshuari është arrestuar menjëherë nga Policia dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka deklaruar se narkotikët i ka për përdorim personal. Ai po ashtu i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar se është në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 27-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar të narkotikëve apo substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.