Policia në Prizren zhvillon fushatën vetëdijësuese ‘’Festo me zemër, jo me armë’’
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka bërë të ditur se stacionet policore kanë filluar implementimin e plani operativ “RRETHI 2024”.
“Ky plan operativ si qëllim kryesor ka rritjen e sigurisë së qytetarëve, pasi që me fillimin e sezonit veror, rritet numri i organizimeve dhe manifestime të ndryshme (dasma, ahengje familjare, etj) andaj duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët rritet edhe siguria.”, njofton Policia.
Përveç aktiviteteve të shtuara operative, Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke zhvilluar një fushatë vetëdijësuese ‘’Festo me zemër, jo me armë’’.
“Gjatë këtyre aktiviteteve përpos shpërndarjes së fletëpalosjeve dhe posterëve me këshilla për vetësiguri, janë bërë takime me qytetarë të ndryshëm, përfaqësues të bizneseve (pronarë të salloneve të dasmave), përfaqësues të komunitetit fetar etj, ku janë sugjeruar që të evitojnë përdorimin e armëve të zjarrit nëpër ahengje familjare apo në lokacione me frekuentim të madh të qytetarëve.”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë ligjin duke iu përmbajtur rregullave dhe duke u sjellur me kujdes ndaj njëri tjetrit në mënyrë që ahengjet familjare të përfundojnë në festa e jo të përfundojnë në tragjedi, shprehen ata.
“Raporto përdorimin e armëve. Policia e Kosovës punon dhe vepron për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.”, thuhet në fund të njoftimit.