Policia parandalon garat e shpejtësisë në Prizren
Policia e Kosovës ka parandaluar garat e shpejtësisë të cilat ishin organizuar në afërsi të hyrjes së autostradës Prizren-veri, dhe ka gjobitur pesë kundërvajtës, gjatë ditës së diel.
“Me date 02/03/2024 rreth orës 22:20 patrullat policore Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugorë në Prizren, bazuar në informacionin e pranuar per dyshimin për organizimin e garave të shpejtësisë në afërsi të hyrjes së autostradës Prizren-veri, kanë intervenuar dhe kanë hasur pesë automjete të cilat ishin duke u përgatitur për gara të shpejtësisë. Ngasësit së bashku me vetura janë shoqëruar deri në stacionin policor të trafikut dhe pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj ngasësve janë shqiptuar gjoba për kundërvajtje dhe më pas janë liruar”, ka shkruar Policia e Kosovës në “Facebook”.
Ndërsa policia ka shtuar se organizimi i garave të shpejtësisë është një aktivitetet i rrezikshëm dhe i jashtëligjshëm andaj Policia e Kosovës nuk do t’i tolerojë dhe do të veprojë kundër organizatorëve dhe pjesëmarrësve sa herë që ka informacion për organizime të tilla.