Prapaskenat e konfliktit për një pronë, pse u kërcënua kryetari i Prizrenit

Tash e një dekadë, një shtëpi në Prizren ka bllokuar punimet në rrugën transit që lidh këtë qytet me magjistralen për Prishtinë dhe Gjakovë. Kjo për shkak se pushtetet e njëpasnjëshme të kësaj komune që nga vitit 2013 kishin injoruar kërkesat e pronarit të kësaj shtëpie.

Ndërtimi i kësaj rruge kishte filluar në prill të vitit 2013 dhe u lëshua për përdorim dy vite më vonë (2015), edhe pse nuk ishte përfunduar e gjitha.

Në atë kohë komuna nuk ia kishte arritur të bijë dakord me një nga pronarët e tokave, mbi të cilën rruga duhej të kalonte. Bëhet fjalë për tokën dhe shtëpinë e Faik Kryeziut që gjendet në parcelën ku rruga ishte planifikuar të vazhdonte.

Insajderi ka kontaktuar kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj për të marrë një përgjigje se a është marrur ndonjë veprim lidhur me këtë çështje.

Totaj tha se komuna tashmë ka marrë të gjitha veprimet ligjore për të zhbllokuar rrugën tranzit. Por, tha se vlerësimin e pronës të Faik Kryeziut, e ka bërë Ministria e Financave dhe jo komuna.

“Komuna e Prizrenit tashmë ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore procedurale për të debllokuar rrugën tranzite. Vlerësimin e pronës nuk e ka bërë Komuna për Divizioni i Vlerësimeve qe është pjesë e Departamentit të Tatimin në Prone në kuadër të Ministrisë së Financave. Komuna vepron vetëm sipas vlerësimit të bazuar në ligj që është bërë nga ministria e financave, pronari e ka të drejtën ligjore të kontestoj këtë vlerësim përmes rrugëve ligjore“, tha Totaj për Insajderin.

Më tej, Totaj tregoi se rruga transit do të lirohet në muajin shkurt të 2023’ës.

Kujtojmë se, kryetari Totaj, është kërcënuar të martën mbrëma nga pronari i kësaj toke, Faik Kryeziu.

Rastin dy ditë më parë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka ka thënë se Totaj është kërcënuar për shkak se i dyshuari ishte i pakënaqur me vlerësimin e pronës së tij nga komuna.

“Fjala është për një pronë-shtëpi e cila ka disa vite që pengon përfundimin e rrugës “tranziti i ri” në Prizren”, ka thënë Bytyqi për Gazetën Insajderi.

Ndërsa, sot Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit Faik Kryeziu për kërcënimin që i ka bërë kryetarit Totaj.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri i kishte dërguar porosi djalit të Totajt përmes një personi të tretë, ku kishte thënë “thuaj djalit të Kryetarit le ti thotë babës vet le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrezon shtëpinë unë djalin e tij ose e rrahi ose e mys krejt”.

“I pandehuri F.K., me datë 24 janar 2023, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare dhe atë te dëmtuarin Sh.T.,– Kryetar i Komunës së Prizrenit, në atë mënyrë që për shkak mosmarrëveshjeve paraprake ne lidhje me një kontest pronësor me komunën e Prizrenit, i pandehuri F.K., ditën kritike përmes një personi të tretë, i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit me fjalët se “thuaj djalit të Kryetarit le ti thotë babës vet le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrezon shtëpinë unë djalin e tij ose e rrahi ose e mys krejt”, me çka me këtë veprim tek i dëmtuari Sh.T., dhe familja e tij ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e Gjykatës thuhet se i pandehuri e kishte kërcënuar edhe më herët Totajn.

“Gjykata ka ardhur në konstatimin se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, pasi që edhe me datë 06 dhjetor 2022, ndaj të pandehurit është iniciuar hetim për veprën penale të natyrës së njëjtë (Kanosje) ndaj të dëmtuarit të njëjtë (Kryetarit të Komunës së Prizrenit), dhe i pandehuri është edhe përsëritës i veprave penale në tre (3) aktgjykime të plotfuqishme”, thuhet në komunikatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *