PREZANTOHET RREGULLORJA E RE PËR FESTIVALIN ” HASI JEHON”, ORGANIZATORËT ENDE NË PRITJE TË VENDIMIT NGA MKRS QË FESTIVALI TË SHPALLET ASET NË MBROJTJE TË PËRHERSHME
Në organizim të SHKA ” Malësori”, mbrëmë në Gjonaj është mbajtur tryeza e diskutimit me temën: Organizimi, kriteret dhe sfidat e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore në festivalin ” Hasi jehon”, ku është prezantuar një rregullore e re për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore mbarëshqiptare.
Pjesë e kësaj tryeze ishin organizatorët e festivalit ” Hasi jehon” dhe përfaqësues të ansambleve foklorike, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në këtë tryezë, është prezantuar rregullorja e re për organizimin e festivalit folklorik ” Hasi jehon”, e cila sipas drejtorit të këtij festivali, Haziz Hodaj, ka lindur si nevojë që kjo ngjarje kulturore të ketë një dimension dhe status të ri, e cila edhe na obligon pas vendimit që jemi duke e pritur nga MKRS që të pranohemi si aset në Mbrojtje të Përhershme.
Kjo rregullore e paraqitur mbrëmë nga ekspertë të angazhuar në hartimin e saj, po shihet si një qasje krejtësisht ndryshe dhe më pozitive për festivalet, nga profesori universitar dhe koreografi, Dilaver Kryeziu.
Njëri nga hartuesit e kësaj rregulloreje, prof.dr Arsim Canolli, tha se përmes ndryshimeve të parapara në rregullore po tentojmë të krijojmë një dialog kulturor ndërshiptar, si dhë në shërbim të tejkalimit të sfidave të festivaleve dhe ansambleve.
Për këtë qasje të re të festivalit ” Hasi jehon” dhe jo vetëm, kërkohet mbështetje më e madhe nga ministria e Kulturës dhe komunat, vijoi më tej profesor Canolli. Samir Hoxha, drejtor i QRTK në Prizren, tha se përkundër faktit se ishim optimist që aplikimi i festivalit ” Hasi jehon” në MKRS që të pranohet si aset në mbrojtje të përhershme vitin e kaluar, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Por shpresojmë se komisioni përkatës i Ministrisë do të rishqyrtoj këtë kërkesë në fund të muajit prill, dhe vendimi të shpallet para mbajtjes së edicionit të radhës së festivalit.
Gatishmëri për të mbështetur festivalin ku kultivohen dhe promovohen vlerat e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore mbarëshqiptare, shprehu drejtori i DKRS në Prizren, Adem Morina.
Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe përfaqësuesit e ansambleve folklorike, të cilët e vlerësuan të rëndësishme si dhe dhanë mendimet dhe sygjerimet e veta rreth kësaj rregulloreje, duke bashkëbiseduar me hartuesit e saj. Edicioni i radhës së festivalit ” Hasi jehon”, do të mbahet nga datat 5,6 dhe 7 maj në Gjonaj. / Tv Prizreni