Privatizimi i KF “Liria” i qëlluar apo i dështuar !?…
Shumë qytetarë u gëzuan disa edhe u lumturuan, kur komisioni për privatizimin e klubit të futbollit “Liria” me autorizim të Kuvendit të Klubit vendosi që KF “Liria” të privatizohet dhe ai të drejtohet nga një menaxhment-privat. U bë si u bë, dhe klubin e morri në menaxhim-privat “një ish pseudo sportist apolog”, vetëm e vetëm se kishte ditur me mjeshtëri të vendoste lëbyrë para të tjerëve.
Shkruan: Lulzim Ibri
Në fillim, fotografia e shkëlqimit dhe lulëzimit të klubit nën drejtimin dhe udhëheqjen private të këtij “aguridhi sportiv” duhet thënë se ishte një paraqitjes tejet mbresëlënëse.
Mbarëvajtja e punëve fillimisht dukej të ishte e bukur, por vetëm në letër. Menaxhmenti privat ishte kujdesur që komisionit t’i servonte vetëm fantazitë e veta, meqë ato që thoshte dhe tregonte nuk kishte kush si t’i vërtetonte, nuk kishte asnjë mekanizëm, në të vërtetë ky menaxhment privat, doli se punët i kishte axhele, kjo do të vërtetohej më vonë.
Një kontribut të kësaj gjendjeje padyshim se e ka edhe klubi dhe komisioni që nuk kishte caktuar një mekanizëm për të verifikuar dhe përcjellur premtimet fenomenale të menaxhmentit privat, apo ndoshta dikush ishte kujdesur, që të mos kishte një mekanizëm të tillë, por edhe kuvendi i klubit që nuk u mblodh asnjëherë për të diskutuar dhe vërtetuar vendimin e komisionit nëse ai ishte i drejt apo jo.
Opinioni sportëdashës mendoi se me privatizimin e klubit, për klubin do të vinin ditë të bardha, se koha e keqe e klubit kishte përfunduar, se klubi do të ngjitej drejtë shkallëve të suksesit dhe se ai do të kishte një aureolë krejtësisht e re, mirëpo por doli e kundërta kontaminimi në klub ishte shtuar edhe më shumë. Këta akinxhi, duke e çuar klubin, nga dështimi në dështim e përdhosën besimin e dhënë, e në veçanti të qytetarëve, ndërsa simpatizuesit i shndërruan në shikues asketik.
Klubi u mbush me “nipa e mbesa, me xhaxhallarë e dajallarë” që krekoseshin e hiqeshin si arrivist, në të vërtetë aty kishte çdo gjë pos profesionistë. Puna e tyre ishte bërë për faqe të zezë, profesionistët që i kishin në radhët e tyre i injoruan totalisht, atyre asnjëherë nuk ju kërkua qoftë edhe një mendim i vetëm.
Në sy të tjerëve, ky klub “akraballakxhi” njëri-tjetrit i thurnin apologji, ndërsa të parit të klubit i bënin apoteozë, dhe nuk e vërenin se ishin bërë anamendas duke i sjellë klubit gjithë atë andrallë.
Në klubin tashmë të privatizuar e të udhëhequr nga këta marrakot, mungonte disiplina, respekti, profesionalizmi e përgjegjësia. Përmes bisedave vesh më vesh, merreshin vendimet dhe realizoheshin qëllimet. Trumbetimi i aksiomës tani do ta shihni çka është profesionalizmi dhe si udhëhiqet klubi, ishte tejet zhgënjyes, gjith ajo shpresë ishte zvetënuar dhe ishte shndërruar në agullim, me këta aguridh klubi jo që nuk mund të ecte përpara, por ai po shkonte drejt fundit të greminës. Dikur kishte prej kujt të kërkohej përgjegjësi, po tash…?
Duke e parë këtë gjendje “katrahurë”, opinioni i gjerë sportdashës, pret që sa më parë klubi të të dekontaminohet nga këta ”infantil të sportit”.
Menaxhmentit privat çdo respekt për përpjekjet dhe kontributin e tyre modest, mirëpo klubi ka nevojë për njerëz të zotë, për ekspertë e profesionistë të mirëfilltë e jo për “dajallarë e xhaxhallarë” apo për njerëz mediokër e lajkatarë.
Shikoni klubet e suksesshme të privatizuara, çoftë në arenën ndërkombëtare apo në atë vendore, shembujt të tillë ka mjaft dhe ato duhet të na shërbejnë për të mirë!