Prizren: Aktakuzë për kontrabandim me migrantë, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të pëgjithshëm
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.G., A.H., H.A., O.A., M.H., A.B., dhe M.R., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, si dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të pandehurit S.G., dhe A.H., nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri në ditën e arrestimit në bashkëkryerje me të pandehurit M.R., dhe A.B., (të arrestuar në Shqipëri) në baza ditore, organizojnë dhe drejtojnë persona të tjerë, e pikërisht të pandehurit A.H., H.A., O.A., H.M., për kryerjen e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”, në atë mënyrë që të njëjtit i drejtojnë këta të pandehur dhe bëjnë organizimin e kontrabandimit të migrantëve sirian dhe migrantëve nga shtetet tjera arabe, duke i përcjellë të njëjtit rrugëve ilegale për t’i futur nga territori i Shqipërisë në territorin e Kosovës, dhe nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë. Me këtë rast, për këtë periudhë kohore, për çdo ditë kontrabandojnë nga 10 deri 15 migrantë në ditë, e të cilët migrantë destinim të fundit i kishin shtetet e Bashkimit Evropian, ndërsa secili migrant për të kaluar nga territori i Shqipërisë deri në territorin e Serbisë, ka paguar nga 500 euro, e për transport brenda territorit të Republikës së Kosovës ka paguar nga 45 – 100 euro. Me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”nga neni 164 par. 5 lidhur me nenin 31 dhe 77, sipas KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit A.H., M.H., H.A., O.A., dhe H.M., nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri me datë 20.06.2023, merren me kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që i pranojnë migrantët kryesisht arab dhe të shteteve aziatike, nëpërmes rrugëve malore, i kalojnë në territorin e Republikës së Kosovës, ku të njëjtit i grumbullojnë në afërsi të xhamisë së fshatit Vërmicë, ose në afërsi të urës e cila gjendet në autostradë afër fshatit Vërmicë, ku i priste i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët me kombi dhe me vetura udhëtarësh, migrantët e kontrabanduar i transportojnë nga aty, nëpër territor të Republikës së Kosovës.
Pastaj i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët i kishte siguruar ai, i transportojnë më tej deri në afërsi të pikë-kalimit kufitar të Jarinjes, dhe me ndihmën e kontrabandistëve e kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, jashtë pikë-kalimit kufitar në mënyrë të paligjshme, kundrejt një përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare.
Me këto veprime, të pandehurit e lartpërmendur kanë kryer veprën “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164 par.1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Gjithashtu, të pandehurit S.G., A.H., H.A., dhe O.A., me datë 19.06.2023, në mesnatë, në Prishtinë, në katin e katërt të objektit banesor që gjendet në rrugën “S.M.”, kanë poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes, të njëjtëve u janë gjetur në posedim tri (3) armë zjarri dhe një numër i konsiderueshëm i fishekëve. Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”nga neni 366 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri O.A., në banesën e lartëcekur në Prishtinë, shkakton rrezik të madh për jetën e personave që kanë qenë brenda banesës, e pikërisht për të pandehurit S.G., A.H., dhe H.A., në atë mënyrë që me pistoletë shtënë disa herë në drejtim të tokës (sheshit) të dhomës së kësaj banese, me ç’rast shkakton rrezik të madh për jetën e tyre. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1, sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.