PRIZRENI, QYTETI I ËMBËLSISË QË ÇERDHEN E KA NË SHPIRT

Shkruan: Çerkin Bytyçi

Prizreni, për mua është një margaritar vlera e të cilit nuk peshohet me asgjë. Është yll që shndërritë dhe drita e tij është frymzim i përhershëm, ujëvarë që me shushuritjen e bukurive mbresëlënëse, shpërndanë freski dhe, me këngët e bilbilave degëve të blirave, përtrinë moshën e shtonë dëshirën për ta shijuar secilën ditë buzë lumit dhe gurgullimës së tij.

Qyteti i miliona zemrave ishte dhe mbeti atraktiv dhe i njohur me traditat fisnike, mikëpritëse, kulturore e të gjithëmbarshme, mburret me të kaluarën historike dhe vazhdon të jet, si përherë, krenari e njerëzve të tij bujarë. Qyteti që pushtoi shpirtin e secilit gjithandej duke qenë çerdhe në te, është po ai që mbeti i dashur për gjithkend që e shijoi ujin e Shadërvanit, bozën dhe sytljashin, freskinë e tij që ia dhuron lumi dhe malet përrreth, hijen e Rrapit në Marash, harqet e Urës së gurit, pamjet magjepse nga kalaja të qytetit dhe të monumenteve të shumta, të Pashtrikut dhe Koritnikut, aromën e zambakëve e toplive mëngjeseve plotë gjallëri. Të gjitha këto, Prizrenin e bukur e bëjnë si zgjua bletësh, mbase, vizitorët nga të gjitha anët, arrijnë pa u ndalur, për t’shijuar raritetet e tij, mbresalënëse në çdo stinë të vitit. Peisazhet e rrugëve karakteristike, bashkë me zejet e kultivuara me përkushtim të duarëve të arta, kurdoherë tërhoqën vemendjen edhe të vizitorëve të rastit, të udhëpërshkruesëve dhe kronistëve nga gjithandej. Fotografitë e vjetra janë dëshmi më e mirë dhe faktografike për bukuritë mahnitëse të qytetit buzë Lumëbardhit dhe rrëzë shpatieve pitoreske të bjeshkëve të Sharrit.

Prizreni, me të gjitha visaret e dhuruara nga Zoti dhe duart e njeriut në shekuj, është një më shumë se pikturë që udhëpërshkruesit, poetët, kronistët vendor dhe të tjerë, e përjetësuan me shkrime çdo imtësi të tij, duke lënë gjurmë për sot e nesër, për shekujt pa mbarim të qytetit të zemrave të të gjithëve, të ëndërrave ëmbëlsi, të kujtimeve që ruhen në arkën si paja e nusërisë, qytetit të dëshirave pa mbarim. Qytetit që i përket secilit që i rreh zemra për të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *