Prokuroria e Prizrenit: Gjatë këtij viti kemi trajtuar 301 raste të dhunës në familje
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se është mbajtur takimi i rregullt i grupit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie. Gjatë takimit u tha se gjatë këtij viti Prokuroria e Prizrenit ka trajtuar 301 raste të dhunës në familje.
Prokurorja, Mehreme Hoxha, theksoi se në vitin 2021 (deri me 30 nëntor 2021) në Prokurorinë Themelore në Prizren, gjendja statistikore për sa i përket lëndëve të dhunës në familje ka qenë si në vijim: në Departamentin e Përgjithshëm janë pranuar 282 kallëzime penale me 317 persona. Në Departamentin për të Mitur, janë pranuar 4 kallëzime me 4 persona, ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda janë pranuar 5 kallëzime penale me 7 persona. Nga të tri departamentet gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer 301 lëndë me 357 persona, duke përfshirë edhe lëndët e trashëguara nga viti paraprak.
“Të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin efikas dhe të shpejtë të ktyre rasteve, dhe u potencua se rastet në familje janë rastet më të vështira për trajtim, andaj, u kërkua që hartimi i kallëzimeve penale të bëhet në mënyrë sa më profesionale dhe të vlerësohet rrezikshmëria e viktimës në mënyrë që të ndërmerren masa adekuate për mbrojtje të viktimës”, thuhet nga Prokuroria.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan se do të vazhdojnë bashkëpunimin me kapacitetet ekzistuese për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje.