Prokuroria e Prizrenit ndalon tre persona për kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore
Prokuroria Themelore në Prizren në një komunikatë për media ka njoftuar se, Departamenti i Përgjithshëm, pas një pune hetimore, me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Doganën e Kosovës duke aplikuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, ka ndaluar tre (3) persona S.E., Y.E., dhe R.E., nën dyshimin për kryerje të veprave penale:
“Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77, dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” nga neni 312 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK, nr. 06/L-074).
Të njëjtit, dyshohen se prej datës së pavërtetuar dhe tani në vazhdimësi, duke vepruar në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, shmangin kontrollet doganore dhe kryejnë bartjen e mallrave dhe atë të telefonave mobil të markave të ndryshme të llojeve të fundit, të cilët telefona mobil i kanë futur në mënyrë ilegale në Kosovë të pa deklaruara në Doganën e Kosovës, e të cilët me pas i fshehin në lokacione të ndryshme në Prizren, e pastaj këto sende të përfituara në mënyrë ilegale dhe duke shmangur kontrollet doganore iu shesin tregtarëve të ndryshëm në qytetet e Kosovës si në Pejë, Deçan, Ferizaj, Kaçanik, si rrjedhojë e kësaj i shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale buxhetit të Republikës së Kosovës, në shumën prej 72,179.26 euro, derisa shmangiet nga detyrimet doganore janë 21,509.41 Euro.
Me aktvendim të prokurorit, të pandehurit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, thuhet në njoftim nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.