Prokuroria kërkon nga Apeli rigjykim apo dënim më të ashpër ndaj ish-inspektorit të dënuar me gjobë për korrupsion
Në Gjykatën e Apelit, të premten është mbajtur seanca ndaj Avdulla Gashit, ish-inspektor i dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me 2 mijë euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në këtë seancë, u elaborua ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila ka kërkuar nga shkalla e dytë, rigjykim apo dënim më të ashpër për të akuzuarin Gashi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 29 dhjetor 2022 pas kthimit të rastit në rigjykim, Gashin e kishte dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Ndaj këtij vendimi, ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prizren, ankesë e cila u shqyrtua para kolegjit të Apelit, me kryetare Afërdita Bytyqi, anëtarë kolegji Hashim Qollaku dhe me gjyqtar referues Xhevdet Abazin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Prizren, në ankesën e saj i ka propozuar Gjykatës së Apelit që çështja të kthehet në rigjykim apo ndaj të dënuarit Gashi të shqiptohet ndonjë dënim më i ashpër.
Lidhur me ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, ka parashtruar përgjigje në ankesë mbrojtësi i të dënuarit Gashi, avokati Sylë Hoxha
Përmes parashtesës, Prokuroria e Apelit i ka propozuar kolegjit që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke kërkuar që të hudhet poshtë përgjigja në ankesë mbrojtësit të Gashit, avokatit Sylë Hoxha.
Lidhur me përgjigjen në ankesë, avokati Hoxha para kolegjit të Apelit tha se dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prizren është konform dispozitave ligjore.
Avokati Hoxha, i propozoi kolegjit të Apelit që të vërtetojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, marrë për bazë faktin se klienti i tij Gashi është i pensionuar dhe se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar më parë.
Pas shqyrtimi të ankesës së Prokurorisë Themelore në Prizren dhe përgjigjes në ankesë të Prokurorisë nga avokati Hoxha, kolegji i Apelit e shpalli seancën e përfunduar, duke njoftuar palët se brenda afatit ligjor do ta pranojë më shkrim vendimin e kësaj gjykate.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, 24 dhjetor 2021, të akuzuarin Gashi e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim, por Gjykata Supreme, më 12 shtator 2022, e kishte kthyer çështjen në rigjykim me aprovimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokat Rexhep Hasani, me pretendimet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke tejkaluar aktakuzën me të cilën i kishte shtuar edhe një vepër tjetër penale dhe se për këtë Prokuroria nuk e kishte bërë precizimin e aktakuzës e as zgjerimin e saj.
Kurse, Gjykata Themelore në Prizren më 29 dhjetor 2022 pas kthimit të rastit në rigjykim, Gashin e kishte dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdullah Gashi akuzohej se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe nenin 12, pika 1.3 të udhëzimit administrativ, nr. 04/2016, për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.
Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 84 m2, të pasurisë shoqërore.
Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.