Prokuroria në Prizren: Aktakuzë ndaj një personi për importim të kokainës nga Shqipëria në Kosovë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.H., i cili aktualisht gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 3, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, “i pandehuri L.H., me datë 06.05.2023 rreth orës 18:40 min në Pikë Kalimin Kufitar të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim importon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “kokainë”, ku i njëjti haset nga zyrtarët policor përkatësisht njësiti Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Republikën e Shqipërisë, me veturën e marrë në “Rent a Car” e depërton narkotikun në Republikën e Kosovës, mirëpo pas informatave të siguruara dhe gjatë kontrollit nga ana e policisë, brenda automjetit gjendet dhe sekuestrohet një qese plastike e substancës së dyshuar për narkotikë me peshë prej 101.49 gram dhe gjatë kontrollit një qese tjetër të dyshuar për narkotikë në peshë prej 0.82 gram i është gjetur në trupin e të pandehurit, e gjithë kjo sasi narkotiku në peshë të përgjithshme prej 102.31 gram, e cila pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit “kokainë”, përderisa të njëjtën natë në gjatë urdhër kontrollit të kryer në shtëpinë e të pandehurit, e cila gjendet në Prishtinë, janë gjetur dhe sekuestruar tri peshore digjitale, tri pako me folie (dy folie të najlonit dhe një e aluminit)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *