Prokuroria në Prizren: Aktakuzë për shitblerje të narkotikëve kundër katër personave
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve V.B., A.F., A.K., dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të pandehurit V.B., A.F., A.K., dhe E.K., me datë 21.11.2023 rreth orës 13:30min në fshatin Duhël – Komuna e Suharekës, pa autorizim kanë poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes, në atë mënyrë që gjatë kontrollit rutinor të policisë në kuadër të planit operativ ”Siguria në shkolla 2023/2024”, e me rastin e kontrollit të automjetit Golf V, të cilin e drejtonte i pandehuri V.B, dhe pasagjerë ishin të pandehurit A.F., dhe A.K., të shoqëruar me qytetarin B.Sh., te i pandehuri A.F., janë gjetur pesë qese najloni me substancë narkotike të llojit “marihuana” me peshë të përgjithshme 7.29 gram dhe te i pandehuri A.K., një qese najloni me substancë narkotike të llojit “marihuana” me peshë të përgjithshme prej 3.69 gram, substanca këto të shpallura me ligj si narkotikë, e të cilët nga automjeti në fjalë i kanë ofruar për shitje këto substanca narkotike pa pasur autorizim nga organi kompetent.
Po ashtu, me datë 22.11.2023 rreth orës 14:20 min. në Suharekë, në një parking në afërsi të Gjimnazit të Suharekës (brenda perimetrit prej 350 metrash), pa autorizim kanë poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes, në atë mënyrë që gjatë kontrollit rutinor të policisë në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla 2023/2024”, e me rastin e kontrollit të automjetit Golf V, të cilin e drejtonte i pandehuri V.B., dhe pasagjerë ishin A.F., A.K., dhe E.K., te i pandehuri E.K. është gjetur një qese najloni e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuana” me peshë të përgjithshme 1.74 gram, te i pandehuri A.F., është gjetur një letër e bardhë brenda saj substancë narkotike e llojit “marihuana” me peshë prej 1.21 gram dhe një grinder për grirjen e marihuanës, në brendësi të automjetit pas ulëses të pasagjerit në një hapësirë në pjesën e pasme janë gjetur 70 qese të vogla të zbrazëta të vendosura në një qese e të cilat shërbejnë për paketimin e substancës narkotike, ndërsa me datën e njëjtë rreth orës 18:00 min. në fshatin Studenqan, gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurit V.B., janë gjetur dhe janë sekuestruar:
Një (1) qese najloni e mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 31.32 gram;
Një (1) qese najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 82.56 gram.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.