PROMOVOHET LIBRI “ZHVILLIMET SHOQËRORE DHE ARSIMI NË ZHUR 1917-200” I SKENDER SUSURIT, I DEDIKOHET REDAKTORIT TË TIJ, SEJDULLAH HOXHA

Mbrëmë, promovimi i botimit të librit të dytë  “Zhvillimet shoqërore dhe arsimi në Zhur 1917 – 2000” me autor Skënder Susurin, i është dedikuar redaktorit të këtij botimi, prof.dr Sejdullah Hoxha, i cili ndërroi jetën të shtunën e kaluar në moshën 73 vjeçare.

Pjesë e kësaj ngjarje, ishin përveç organizatorëve edhe personalitete të ndryshme të jetës publike dhe shoqërore dhe familjarë të të ndjerit, Sejdullah Hoxha.

Në emër të organizatorëve ka folur, Sefer Susuri, i cili tha se botimi i librit të dytë “Zhvillimet shoqërore dhe arsimi në Zhur 1917 – 2000”, ishte paraparë të promovohet muajin e kaluar, por ishim në pritje të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të redaktorit të librit, Sejdullah Hoxha, i cili për fat të keq ndërroi jetë.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili vlerësoi lartë figurën e prof. dr Sejdullah Hoxhës, si një personalitet që gjatë gjithë jetës së tij ka kontribuuar në të gjitha sferat e jetës.

Ndërkaq, drejtori i QRSHP në Prizren, Fadil Kryeziu, tha se Sejdullah Hoxha ka qenë personalitet i cili përkundër vështirësive të shumta në jetën e tij, ndërtoi me fisnikërinë më të lartë profesionalizmin, humanitetin dhe atdhedashurinë.

Ndërkaq, avokati Hazër Susuri, tha se ky libër sjell të dhëna të dokumentuara shkencore që kanë të bëjnë me zhvillimet e përgjithshme shoqërore dhe arsimore në Zhur. Në emër të familjes Hoxha, organizatorët e kësaj ngjarje ka falënderuar djali i të ndjerit, Iliri.

Ndryshe, libri “Zhvillimet shoqërore dhe arsimi në Zhur 1917 – 2000” , është i pasur me dokumente arkivore, me faksimile të kohës, të vendimeve të ndryshme dhe me materiale të studiuesve të shumtë dhe fotografi./Tv Prizreni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *