Pse nafta, më e shtrenjtë se benzina? Ky është shkaku
Gjatë vitit të kaluar, ajo që dukej në tabelat e çmimeve të karburanteve si edhe ndikimi i çmimeve në xhepat e konsumatorëvë ka shkaktuar mjaft reagime kryesisht nga shoferët. Krahas çmimeve tepër të larta, befasia e madhe është diferenca në çmim mes naftës dhe benzinës. Për çudi, si asnjëherë gjatë dekadave të fundit, nafta është më e shtrenjtë se benzina.
Ky është një fenomen që nuk vërehet vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet e tjera dhe gjithçka e ka një shpjegim.
Arsyet pse ndodh kjo janë komplekse. Nafta bruto dhe derivatet e saj janë produkte të tregtuara në bursë. Në varësi të llojit të karburantit dhe shkëmbimit ku kryhen transaksionet, çmimi mund të ndryshojë, megjithëse luhatjet nuk janë të mëdha, raporton abcnews.al.
Kërkesa në rritje për naftë
Shkaku kryesor lidhet me kërkesën më të madhe për naftë se sa për benzinë si edhe koston më të lartë që ka dërgimi produktit nëpër rafineri.
Edhe pse nafta dhe benzina kanë thuajse taksa të njëjta në Shqipëri, por fakti se kostoja e rafinimit është më e lartë për naftën se benzinën është një tjetër factor që ndikon në rritjen e çmimit në raport me benzinën.
Kërkesa më e lartë për naftë se për benzinë si edhe kostoja e rafinimit duket të jenë dy shkaqet kryesore që ndikojnë në diferencën në çmim te këto produkte.
Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe më gjerë duke ndikuar ndjeshëm në ekonomi. Aktualisht, një litër naftë shitet me 240 lekë, kurse një liter benzinë, 203 lekë. /abcnews.al