Radio Evropa e Lirë: Franca kushtëzon heqjen e vizave për Kosovën
Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, Radio Evropa e Lirë merr vesh se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.
Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.
Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.
Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.
Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimi se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret./REL/