Ramush Haradinaj: Bastisja e Speciales në shtëpinë e Jakup Krasniqit është shqetësuese
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për bastisjen që Specialja po kryen në shtëpinë e Jakup Krasniqit.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Haradinaj thotë se bastisjet e tilla janë shqetësuese, sidomos në prani të familjarëve.
Tutje ai thotë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe beson në pafajësinë e Krasniqit.
Postimi i plotë:
Zhvillimet e fundit me bastisjet nga policia e EULEX-it janë shqetësuese, pasi që nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike. Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor.
Operacionet e tilla, nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të kryhen nga Policia e Kosovës.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi.