Ramush Haradinaj: Lidhja e Prizrenit lartësoi identitetin kombëtar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek Lidhja e Prizrenit në 143-vjetorin e saj.
Ai ka kujtuar edhe të rënët në Luftën Çlirimtare të prirë nga komandanti i ZO të Pashtrikut, Ekrem Rexha-Drini, në vigjilje të Ditës së Çlirmit të Prizrenit.
Haradinaj ka thënë se Kosova do të mbetet e palëkundur në rrugën drejt një shteti e kombi të zhvilluar e respektuar ndërkombëtarisht.
Postimi i plote:
Sot, kujtojmë ngjarjen më frymëzuese dhe më kulmore në të gjithë historinë e kombit shqiptar.
Lidhja e Prizrenit lartësoi identitetin kombëtar duke legjitimuar përpjekjet dhe aspiratat e kahershme, ngjarje kjo pararendëse e shpalljes së Shqipërisë shtet, ëndërr e shumë brezave.Shqiptarët njihen për trimëri e mençuri, vullnet e gatishmëri për t’u sakrifikuar për lirinë e Atdheut dhe interesat e kombit.
Në 143 vjetorin e Lidhjes Shqiptare, duke kujtuar e nderuar udhëheqësit vizionarë, nderojmë e respektojmë të gjitha përpjekjet e mëpastajme përgjatë tërë historisë sonë të lavdishme. Ne të gjallët sot, e ata që ishin para nesh por që vazhduan rrugën drejt qëllimeve madhore dhe të drejta kombëtare, kishim të trashëguar ndjenjën e fuqishme ndaj Atdheut, u mësuam të reagojmë dhe të sakrifikohemi për vendin sa herë që mund të kërcënohet sovraniteti dhe liria jonë.
Në vigjilje të Ditës së Çlirimit të Prizrenit, kujtuam po ashtu të rënët në Luftën Çlirimtare, të prirë nga bashkëluftëtari dhe komandanti i ZO të Pashtrikut, Ekrem Rexha-Drini.
Mbetemi të palëkundur në rrugën tonë drejt një shteti e kombi të zhvilluar e të respektuar ndërkombëtarisht, faktor sigurie e stabiliteti në rajon e Evropë. RH