Reduktimet me rrymë do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim

KEDS-i ka bërë të ditur se kufizimet e planifikuara me energji elektrike do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

Përmes një njoftimi me shkrim, KEDS-i bën të ditur se reduktimet do të vazhdojnë deri të merren instruksione tjera nga KOSTT-i.

“Duke qenë se kriza energjetike tashmë është thelluar në vendin tonë, dhe nga ana tjetër faktorë të tjerë, sikurse mbingarkesat e sistemit elektro-energjetik dhe trendi i rritjes së shpejtë të konsumit, kanë bërë që kufizimet e planifikuara me energji elektrike për të gjithë konsumatorët të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri sa të marrim instruksione tjera nga KOSTT”, thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se ndalesat do të vazhdojnë të jenë rreth dy orë, në periudha të ndryshme të ditës.

“Këto ndalesa sipas planit do të vazhdojnë të jenë rreth 2 orë për secilin grup të konsumatorëve, në periudha të ndryshme të ditës. Dukuri që po pengon kyçjen me kohë të grupeve të caktuara, janë ngarkesat e mëdha që po shfaqen në dalje gjatë këtij procesi. Për të eliminuar këtë dukuri, kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve. Konsumatorët të cilët janë pa energji elektrike, sipas planit të kufizimeve duhet që pajisjet elektrike mundësisht t’i kenë të shkyçura apo të larguara nga priza, në mënyrë që procesi i rikyçjes të secilës dalje të realizohet në mënyrë të suksesshme”, thuhet në njoftim.

KEDS-i ka bërë të ditur se qytetarët mund të informohen përmes llogarisë personale në eKesco, për orarin e reduktimeve.

“Informimi i konsumatorëve për këto kufizime të planifikuara është duke u bërë përmes aplikacionit eKesco (https://fatura.kesco-energy.com/auth/login), për konsumatorët të cilët kanë llogari të hapur në këtë aplikacion. Po ashtu në ueb-faqe të KEDS, përmes hartës konsumatorët mund të shohin kufizimet e planifikuara që do të ndodhin në pikën matëse të saj/tij apo të lagjes ku jeton. Po ashtu, edhe mediat do të njoftohen për planin e kufizimeve, pasi këto plane t’i pranojmë nga KOSTT. Ftojmë konsumatorët të cilët nuk kanë llogari të hapur në aplikacionin eKesco, ta hapin atë, si dhe të përcjellin ueb-faqen e KEDS për t’u informuar për këto kufizime”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *