RIKTHIM NË KOHË, PARA 22 VITEVE!

Shkruan: Zafir Berisha

Më 24 mars të 1999 ishim në lagjen Tusuz të Prizrenit, ku përmes Besnikut kishim lën takim me S.Xhezairin ”Hoxhën” dhe disa shokë të luftës, për të takuar dhe bashkërenduar aktivetet luftarake.

Derisa qëndronim në një shtëpi me Isën, Rustemin e Strugën, kurse shokët tjerë ishin në fsh Billushë-Kushtrim, para orës 20.00 papritur u ndërpre programi i rregullt i televizionit shqiptar që po përcillnim, kur gazetari paralajmëroi fillimin e sulmeve të Nato-s mbi Jugosllavi.

Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, sepse në momente tepër vendimtare për vendin, vinte në ndihmë edhe një aleancë e fuqishme politike – ushtarake (NATO).

Ishte një ndjenjë e përzier gëzimi dhe ndjenjë e forcës për ta vazhduar rezistencën sepse e kuptuam se ishte fillimi i fundit i regjimit fashist serb në Kosovë!

Kur dolëm nga shtëpia ku ndodheshim në Tusuz, banorët e lagjes kishin dalë nëpër rrugë dhe nuk e  kishin idenë si të vepronin, sepse Prizreni ishte nën alarmet trishtuese të forcave serbe, të cilat në lagjen Bajram Curri, me të cilën na ndante vetëm lumi, në fabrikën e Farmakosit kishin filluar të fshiheshin tanket që largoheshin nga kazerma ushtarake në Bazhdarane, në një kohë që nga lëvizjet e tyre dridhej i tërë qyteti.

Qytetarët e Tusuzit me të cilët komumikonim, u sugjeruam që të mos leviznin për momentin nga lagjja, sepse nuk dihej ende se çfarë po ndodhte derisa qyteti ishte në errësirë të plotë. Bombat e para ranë në kazermat e ushtrisë jugosllave që ishte në dalje të Prizrenit, në drejtim të Suharekës.

Dolëm mbi qytet dhe me radiolidhëset hymë në frekuencat e forcave serbe, ku nga bisedat në mes tyre e kuptuam se ishin në panikë të madh…

Personi me shifrën “shara 101”, I cili me gjasë ishte ndonjë udhëheqës i policisë serbe ishte në gjendje paniku, duke gjykuar nga zëri i tij, gjatë gjithë kohës shante në gjuhën serbe dhe jepte urdhëra se si duhej vepruar.

Diku nga ora 22.00 disa lokale dhe banesa në Prizren u pushtuan nga flakët, dhe forcat serbe vazhduan valën e terrorit ndaj qytetarëve. Në gjithë këtë ndjenjë të përzier gëzimi e trishtimi, për ata që e shinim me sy dhe perjetonin, ishte një moment ku dikush nga njësitet e UÇK-së, në frekuencat e policisë serbe kishte vënë një këngë për Skënderbeun, e cila po tmerronte policinë serbe… Lufta jonë tashmë në rrethana të reja, vazhdoi deri më 12 qershor 1999, ditë kur në mënyrë triumfuese UÇK-së dhe forcat e Nato-s marshuan në Prizren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *