Rritet numri i të hospitalizuarve me covid-19 në Spitalin e Prizrenit, QRSHP njofton për 18 viktima në këtë komunë gjatë muajit gusht
Ditëve të fundit me rritjen e numrit të rasteve të infektimeve me Covid-19 është rritur edhe numri i pacientëve të hospitalizuar me këtë virus në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Drejtori i Spitalit, Afrim Avdaj, njofton se pas një muaji pa asnjë pacientë të hospitalizuar për Covid-19 në këtë institucion shëndetësor, prej një gushtit ky numër ka filluar të rritet dhe aktualisht jemi duke i trajtuar 130 pacientë, njofton ai.
Drejtori Avdaj, bën të ditur se, 113 pacientë janë me oksigjeno terapi dhe 7 të tjerë janë duke u trajtuar me maskë me presion të lartë të oksigjenit CPAP.
Ai njofton gjithashtu se 13 pacientë të konfirmuar me Covid-19 kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa 7 të tjerë të dyja dozat. Ai njofton më tej se, në këtë institucion shëndetësor do të ketë hospitalizim të pacientëve me Covid-19 brenda kapaciteteve optimale dhe maksimale.
Se gjendja paraqitet serioze e tregon drejtori Avdaj, i cili thotë se numri i pacientëve të hospitalizuar për një periudhë të shkurtër ka shënuar rritje të dukshme në krahasim me fazat e mëhershme të pandemisë. Vetëm mbrëmjen e fundit janë bërë 89 vizita ambulatorike për Covid-19 në Spital, njofton më tej ai, duke shtuar se, përkundër situatës së rënduar, personeli shëndetësor është në gatishmëri të plotë për të iu ofruar shërbime të duhura mjekësore të hospitalizuarve me Covid-19.
Ndërkaq, sipas drejtuesve të Qendrës Rajonale të Shendetësisë Publike në Prizren, në këtë komunë që nga fillimi i muajit gusht e deri ditën e sotme janë të konfirmuara 18 viktima nga virusi famëkeq të cilët kanë patur dhe sëmundje të tjera përcjellëse./Tv Prizreni