Rritet numri i vizitorëve në hotelet në Kosovë, mbi 56 mijë vetëm për një muaj
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se numri i vizitorëve është rritur për 17 për qind në muajin qershor, në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin e shkuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja, gjatë muajit qershor numri i vizitorëve vendas dhe të huaj në hotele ishte 56 mijë e 274.
“Në qershor 2024, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotele ishte 56 274, prej tyre 35,6% ishin vendorë dhe 64,3% ishin të jashtëm. Krahasuar me muajin qershor të vitit 2023 (sa ishin 48 079 vizitorë) kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 17,0%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Numri i net-qëndrimeve ishte 119 mijë e 860, prej tyre 46,34% nga vendorët dhe 53,66% nga të huajt.
Numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm në hotele e ka rajoni i Pejës me 7 mijë e 734 vizitorë dhe me 28 mijë 898 net-qëndrime.
Ndërsa sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (qershor 2023) ka rritje të vizitorëve për 23,5%.
Në total 36 mijë e 211 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga: Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra, etj.