Shënohet 60 vjetori i Shkollës ” Mati Logoreci”, përuroret salla e renovuar sportive dhe laboratori i shkencave natyrore
Të premten në shkollën ” Mati Logoreci”, me rastin e shënimit të 60 vjetorit të themelimit është bërë edhe përurimi i renovimit të sallës së edukatës fizike dhe të laboratorit të shkencave natyrore.
Pjesë e manifestimit solemn me rastin e kremtimit të 60 vjetorit të shkollës ” Mati Logoreci”, e cila deri në vitin 1992 e mbante emrin ” 17 nëntori”, ishin nxënës, prindër dhe stafi i shkollës, drejtoresha e Arsimit, Veselaj- Gutaj, dhe mysafirë të tjerë. U .d i drejtorit të shkollës, Skender Ferati, tha se sot është një ditë e rëndësishme për shkollën tonë, nga e cila dolen personalitete të ndryshme dhe të respektuara në vend dhe jashtë, si dhe dëshmorë e figura që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.
Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj- Gutaj, tha se mbështetja për sektorin e arsimit është investim për të ardhme më të mirë, dhe premtoi përkrahje institucionale për zhvillime edhe më pozitive në këtë shkollë.
Pas përurimit të fushës sportive vitin e kaluar, edhe renovimi i sallës së edukatës fizike dhe hapja e laboratorit të shkencave natyrore, është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga nxënësit, Eljesa Alibajro dhe Ersan Vetimi. Investimet në renovimin e sallës së edukatës fizike DKA-së në Prizren i kanë kushtuar nga buxheti i saj 137 mijë euro, ndërsa laboratori i shkencave natyrore është pjesë e rregullimit të 10 laboratorëve të tillë në shkolla të Prizrenit në shumë të përgjithshme mbi 95 mijë euro.
Për të gjithë të pranishmit është shfaqur edhe një program i pasur artistik nga nxënësit e shkollës në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre.