Shoqata e Konsumatorit dhe ekonomistët kundër ngritjes së çmimit të rrymës
Propozimi për ngritjen e çmimit të rrymës për bizneset, vlerësohet se do ndikojë negativisht te qytetari-konsumator. Me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për bizneset, me automatizëm ngritën edhe çmimet e produkteve, vlerësojnë njohës të ekonomisë.
Qeveria e Kosovës ka propozuar që tarifat e energjisë elektrike të rriten vetëm për bizneset, derisa për konsumatorët, çmimi të mbetet i pandryshuar. Kjo do të bëjë që bizneset me automatizëm të rrisin çmimin e produkteve, vlerëson për Radio Kosovën kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai thotë se qeveria nuk po merret me shkaktarin e problemit.
“Pushteti, si ky, si ai i legjislaturës së kaluar, asgjë nuk kanë bërë më shumë që këtë buxhet ta shndërrojnë në buxhet performues, ku qytetari nuk do të rrezikohej as nga ngritja e drejtpërdrejtë e çmimit, e këtë herë të çmimit të energjisë elektrike as nga ngritja indirekte siç është tani nëpërmjet bizneseve të cilat ato gjithsesi që do t’i kompensojnë duke i fryrë çmimet përfundimtare për qytetarë”, tha Kaçaniku.
Qytetarët e intervistuar nga Radio Kosova, vlerësojnë se kjo mënyrë do të varfërojë edhe më tutje shportën e tyre. Disa nga ta thonë se ngritja e tarifave të rrymës do të ndikojë negativisht në buxhetin e tyre ekonomik.
“Çdo rritje që prek bizneset, rritet edhe çmimet e të tjerave produkteve e që për neve janë shumë të mëdha. Një kosto e shtrenjtë për neve e që bëhet pa dëshirën tonë. P.sh. nëse përpara kemi marrë produkte me 20 euro, sot ato produkte nuk mund t’i marrësh pa 30- 35 euro. Kjo është shumë shtrenjtë nëse ndodh, i dëmton qytetarët dhe shumë shtrenjtë”, tha ai.
Ndërkohë, profesori i ekonomisë, Veli Lecaj, duke folur për Radio Kosovën, thotë se nëse kjo ndodh, me automatizëm do të ngritët edhe çmimi në sektorin e prodhimtarisë.
“Vetë ngritja e çmimit te bizneset, ngritët edhe kosto e jetesës për konsumatorët e tjerë. Do të ishte mirë që ky çmim për kilovat të energjisë të ruhet edhe për një kohë të caktuar, qoftë për biznese apo edhe për konsumatorët, së paku deri në fund të vitit. Mendoj që se konsumatorët e kanë shumë të vështirë që t’i bëjnë ballë”, deklaroi Lecaj.
Propozimin e ngritjes së tarifave të energjisë ndaj bizneseve, qeveria e ka paraqitur në kuadër të komenteve dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për procesin tarifor, i cili pritet të përmbyllet në fund të këtij muaji.