Si mund të shkurtohet periudha e fushatës zgjedhore?
Asnjë nga partitë politike në Kosovë, nuk kanë parashtruar ndonjë kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lidhur më shkurtimin e periudhës se fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kreshnik Radoniqi kryetar i këtij institucioni.
Megjithatë, ai thotë se Ligji për Zgjedhjet parasheh që fushata të mbahet 30 ditë dhe KQZ-ja nuk ka ndonjë mundësi ta ndryshojë këtë periudhë.
“Nëse partitë politike parashtrojnë një kërkesë të tillë në KQZ, ne do të trajtojmë kërkesën, kemi Këshillin për çështje ligjore, ku do ta trajtojnë Ligjin për Zgjedhje dhe Ligjin për Parandalimin e Pandemisë dhe do të veprohet përshtatshmërisht. Por, se a do të marrim ndonjë vendim lidhur më shkurtimin e fushatës, mbetet ta trajtojmë, por mundësitë ligjore nuk janë për të marrë këtë vendim”, tha ai.
Radoniqi, shprehet se në planin operacional, KQZ-ja ka për obligim të zbatojë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit edhe ditën e zgjedhjeve.
“Do të bëhet një plan i detajuar se si do të punohet nga stafi i KQZ-se ditën e zgjedhjeve në mënyrë që të mos të lejohet grumbullimi i njerëzve nëpër vendvotime. Ashtu si ne edhe partitë politike, janë të obliguara të zbatojnë këto masa”, thekson Radoniqi.
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta dhe sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë, në këtë rast duke filluar nga 16 shtatori deri më 15 tetor.
Për shkak të situatës se rënduar me pandeminë COVID-19, rritjes së numrit të viktimave dhe rasteve pozitive me koronavirus, kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u është drejtuar krerëve të partive parlamentare, duke kërkuar që të bien dakord që të shkurtohet në 10 ditë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar që fushata të shkurtohet në pesë ditë. Kurse Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se në këtë parti “ ka një mendim se duhet të diskutohet dhe dokordohen për shkurtim të fushatës”. Një qëndrim zyrtar deri më tani, nuk e ka partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, nuk ka dhënë ndonjë përgjigjeje për ndonjë kërkesë në KQZ, por tha se për këtë çështje, LDK-ja është në proces të shqyrtimit për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku do propozohet rezolutë.
“Është shprehje e vullnetit politik të partive politike në Kuvend dhe angazhim publik, për të mos mbajtur fushatë. Dhe nëse është e nevojshme, pastaj kjo mund të kthehet edhe në vendim të KQZ-se”, tha Gashi.
Shtyrja e fushatës zgjedhore përmes ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet dhe rezolutës, po konsiderohet e pamundur nga Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës. Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se rezoluta nuk ka karakter të obligueshëm për zbatim dhe se kjo mund të keqpërdoret nga subjektet politike.
Megjithatë, Cakolli shprehet se Ligji për Zgjedhjet, në të cilin parashihet 30 ditë fushatë, nuk e përcakton llojin e fushatës, që domosdo të ketë takime publike me qytetarët. Sipas tij, partitë politike, për shkak të situatës së rënduar me pandeminë, mund të dakordohen që të anulojnë komplet fushatën dhe kjo të bëhet përmes debateve televizive dhe rrjeteve sociale.
“Çfarëdo iniciative tjetër, në formë të ndonjë rezolute apo diçkaje tjetër, nuk do të kishte efektin e njëjtë sikurse ligji, kësisoj do të ishte e predispozuar për të dështuar. Rezoluta nuk ka karakter obligativ prandaj do të ishte problematike” thekson Cakolli.
Kurse sa i përket ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet, Cakolli thotë se koha e procedurave zyrtare për ndryshimin e ligjit është pengesa e parë, ndërkaq pengesa e dytë, sipas tij, është që sipas standardeve evropiane për organizimin dhe administrimin zgjedhjeve, nuk duhet që legjislacioni zgjedhor të ndryshohet të paktën një vit para fillimit të zgjedhjeve.
Duke u nisur nga fushata e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, që janë mbajtur më 14 shkurt 2021, e në të cilën partitë politike për 10 ditë të fushatës nuk kanë respektuar masat mbrojtëse kundër pandemisë, zgjidhja e vetme, sipas Cakollit, do ishte që Qeveria e Kosovës të ndalojë të gjitha tubimet publike.
“Në këtë mënyrë edhe po të zgjaste fushata 30 ditë, nuk do të kishte fare ndikim sa i përket shqetësimit të gjendjes me pandeminë COVID-19”, tha ai.
Qeveria e Kosovës më 28 gusht, ka ashpërsuar masat kundër koronavirusit, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe shkurtimin e orarit për gastronominë. Në bazë të këtij vendimi 30 persona lejohen në ambiente të mbyllura, kurse në ambiente të jashtme deri në 50 persona. Në këto raste, organizatori obligohet që të sigurojë distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
Më organizimin e zgjedhjeve lokale duhet të ketë kujdes të shtuar, thotë epidemiologu Isuf Dedushaj. Ai shprehet se përhapja e shpejtë e variantit Delta tek personat e tjerë dhe mosimunizimi i masës me vaksinë kundër koronavirusit, janë faktorë shqetësues për grumbullime publike.
“Format e para të koronavirusit kanë qenë infektuese, por jo aq shumë. Do të thotë me një të sëmurë klinik apo person të infektuar, tre persona kanë mundur të infektohen, ndërsa te forma Delta, është një situatë krejt tjetër. Nga një i sëmurë me këtë virus për disa sekonda, mund të prekën deri në dhjetë persona. Pra duhet të ketë kujdes”, thekson Dedushaj
Javëve të fundit, Kosova ka shënuar rritje të madhe të numrit të viktimave dhe rasteve të reja. Vetëm gjatë shtatë ditëve të fundit, 196 persona të infektuar me koronavirus, kanë ndërruar jetë. Ndërsa, mbi 15oo raste të reja raportohen pozitiv me koronavirus, po thuajse për çdo ditë.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet lokale mbahen në ditën e njëjtë me Kosovën, më 17 tetor. Zyrtarisht fushata për këto zgjedhje do të nisë më 27 shtator dhe do të përmbyllet më 15 tetor, megjithëse partitë politike, aktivitetet në terren veçse i kanë nisur. Më gjithë faktin, se edhe në Maqedoninë e Veriut, situata paraqitet e rëndë me pandeminë, deri më tani nuk është kërkuar shkurtimi i fushatës zgjedhore.