Si u kap dje në Prishtinë Korab Gashi, i kërkuar me muaj për grabitjen në argjendarinë në Suharekë
Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Prishtinë, Korab Gashin një nga të dyshuarit për grabitjen në argjendarinë “Diakos”, në Suharekë. Kjo grabitje kishte ndodhur më nëntor të vitit të kaluar dhe që nga atëherë i njëjti ishte në arrati.
Për kapjen e tij, policia kreu një operacion të organizuar në të cilin u kap ai në Prishtinë.
“Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me iniciale (K.G.), i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e Grabitjes së argjendarisë në Suharekë. I apostrofuari me iniciale (K.G.) ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Të dyshuarit e tjerë që gjenden prapa grilave janë Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi, të dyshuar për veprën penale “Grabitje”, kurse Trim Baraku për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, Dukagjin Gashi kishte mbetur i vrarë gjatë një aksioni të policisë për t’i arrestuar të dyshuarit.
Sipas të dhënave të para vlera e arit që u grabit në atë argjendari ishte rreth 250 mijë euro.
Ndryshe, Policia e Kosovës me 13 dhjetor të vitit të kaluar ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë që ndodhi më 22 nëntor i cili ende është në arrati.
Personi i cili po kërkohet nga policia është Korab Zeqir Gashi, i lindur më 01.03.1982 në Prishtinë.
Në njoftim thuhet se ndaj të dyshuarit në fjalë është lëshuar edhe urdhër arrest nga organet e drejtësisë.
“Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e Grabitjes së Armatosur dhe Plagosjes së Zyrtarit Policor, ndodhur me datë 22.11.2023 në argjendarin në Suharekë. Lidhur më këtë rast, një person i identifikuar ende është në arrati dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër arresti nga organet e drejtësisë. Personi i cili po kërkohet është Korab Zeqir Gashi, i lindur me 01.03.1982 në Prishtinë me nr personal 1014599319. Për identifikimin dhe arrestimin e tij kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë informata të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Korab Gashi është vëllai i Dukagjin Gashit, i cili u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me Policinë e Kosovës në Prishtinë, në aksionin për kapjen e të dyshuarve.